Showbiz

Chris Brown padit “Warner Bros Discoveryn”, kërkon 500 milionë dollarë dëmshpërblim

Chris Brown

Chris Brown

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur Chris Brown ka paditur për shpifje gjigantin e filmave “Warner Bros Discovery” (WBD), duke kërkuar 500 milionë dollarë dëmshpërblim pas publikimit të dokumentarit “Chris Brown: A History of Violence” në muajin tetor të vitit 2024, raporton Deadline.

Në padi, këngëtari akuzon kompaninë dhe producentët e dokumentarit për shpifje dhe manipulim të fakteve, duke e paraqitur si “dhunues serial seksual” dhe duke injoruar informacionet që mund të demantojnë akuzat.

“Dokumentari përmban informacione të rreme”, ka theksuar Brown, duke përfshirë akuzat për një ngjarje ngacmimi seksual në jahtin e reperit të njohur Sean “Diddy” Combs në vitin 2020, të cilat janë shfuqizuar më pas.

Ai po ashtu ka mohuar çdo akuzë për krime seksuale të padëgjuara, duke theksuar se nuk është gjykuar kurrë për ndonjë krim të tillë.

“Kjo padi është përpjekje për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mbështetur ata që kanë kaluar abuzime seksuale”, ka thënë avokati i Brownit, Levi McCathern.

Ai ka shtuar se realizuesit e dokumentarit kanë injoruar etikën gazetareske dhe kanë shpërndarë informacion të rremë për përfitime financiare. Ai gjithashtu ka theksuar se ky dokumentar ka dëmtuar përpjekjet e Brownit për të rikuperuar jetën e tij dhe ka minuar besueshmërinë e viktimave të vërteta të dhunës.