Edhe pse episodi i fundit i serialit të popullarizuar “Game of Thrones” u transmetua një muaj më parë, adhurues të shumtë ende nuk po mund të pajtohen me mënyrën se si përfundoi seria, të cilën e ndoqën tetë vjet.
Lena Headey (45), e cila në seri e luajti mbretëreshën Cersei, njërën nga personazhet më të urryer, zbuloi se ekziston një skenë e fshirë e cila personazhin e saj ndoshta do ta tregonte në një kontekst të ndryshëm dhe do t’i shpjegonte disa vepra që i bëri Cersei.
Lena në një konventë në Mynih zbuloi se Cersei e humbi fëmijën të cilin e nisi me vëllanë Jamie Lannister. Aborti, i cili ndodhi në fund të sezonit të shtatë është xhiruar, por kjo skenë në fund nuk është përfshirë në seri, shkruan KOHA Ditore.
“Ajo skenë ishte e dashur për mua, sepse mendoj se do ta tregonte ndryshe atë”, - tha Lena.
Aktorja qysh më herët kishte zbuluar se nuk ishte aq e kënaqur me mënyrën se si vdiq Cersei.
“E doja një vdekje më të mirë për të. Kam menduar se si do të vdiste, sepse në këtë seri mund të vdisni në shumë mënyra. Isha paksa e zhgënjyer. Por mendoj se në asnjë mënyrë nuk kanë mundur t’i kënaqin të gjitha pritjet, çfarëdo që të bënin”, - tha aktorja.
Përndryshe, Cersei Lannister vdiq duke mbetur nën rrënoja me vëllanë Jamie pasi u shemb kështjella mbi ta.