Policia dhe protestuesit u përplasën gjatë ceremonisë në bulevardin e famës në Hollywood, ku aktorja izraelite Gal Gadot po pritej ta merrte yllin në atë bulevard. Gadot njihet për mbështetjen e saj të hapur ndaj Ushtrisë izraelite.

Të martën në Hollywood, ceremonia për yllin e filmit “Wonder Woman” u vonua për shkak të protestave mes mbështetësve proizraelitë dhe propalestinezë.
Sipas Variety, protestuesit propalestinezë mbanin pankarta me mesazhe si: “Heronjtë luftojnë si palestinezët”, “Viva Viva Palestina” dhe “‘No Other Land’ fitoi Oscar”, referencë për dokumentarin mbi pushtimet izraelite në Bregun Perëndimor, i cili fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë këtë vit.

Në video të publikuara nga gazetarja Katcy Stephan e Varietyt, protestuesit dëgjohen duke brohoritur “Turp për Gal Gadot”, ndërsa disa prej tyre u arrestuan nga policia. Të dyja palët numëronin afro dhjetëra pjesëmarrës, dhe tensionet u shtuan kur një protestues propalestinez mori një flamur izraelit, çka çoi në ndërhyrjen e policisë.
Gadot, e cila luan rolin e Mbretëreshës së Keqe në versionin e ri të filmit “Snow White” të kompanisë “Disney”, ka shërbyer në Ushtrinë izraelite dhe është shprehur hapur në mbështetje të Izraelit, veçanërisht pas sulmeve të 7 tetorit të vitit 2023 nga Hamasi dhe ofensivës ushtarake izraelite në Gaza.
“Kurrë nuk e kisha imagjinuar që në rrugët e Shteteve të Bashkuara dhe qytete të ndryshme në botë do të shihnim njerëz që jo vetëm nuk e dënonin Hamasin, por e festonin, e justifikonin dhe brohorisnin për masakrën ndaj hebrenjve”, ka deklaruar ajo në fjalimin që mbajti në samitin vjetor të Anti-Defamation League.
Duke folur për Variety para ceremonisë, Gadot ka thënë se e pati të nevojshme të angazhohej politikisht pas sulmit të 7 tetorit.
“Kur njerëzit u rrëmbyen nga shtëpitë dhe shtretërit e tyre - burra, gra, fëmijë, të moshuar, të mbijetuar të Holokaustit, po kalonin tmerrin e asaj dite - unë nuk mund të rrija e heshtur”, ka thënë Gadot.
Aktorja gjithashtu kritikoi perceptimin publik dhe median.
“U trondita nga niveli i urrejtjes, nga fakti se sa shumë njerëz mendojnë se dinë kur në të vërtetë nuk kanë asnjë ide, dhe gjithashtu nga fakti se sa shpesh media nuk është e drejtë. Ndaj duhej të flisja”, ka thënë tutje ajo.
Në ceremoninë e saj, Gadot ka shmangur komentet mbi protestat dhe ka falënderuar regjisoren e filmit “Wonder Woman”, Patty Jenkins, dhe aktorin e filmit “Fast and Furious”, Vin Diesel. Ajo e ka përshkruar veten si “një vajzë nga një qytet në Izrael”.
Protestat ndodhën pak para premierës së filmit “Snow White”, e cila ka qenë në qendër të polemikave për javë të tëra. Ka pasur spekulime për përçarje mes Gadot dhe koleges së saj Rachel Zegler, e cila është pro-Palestinës. “Disney”, që ka krijuar filmin në fjalë, ka kufizuar intervistat në premierën botërore të filmit, duke lejuar vetëm media të miratuara nga kompania.

Gadot nuk është ylli i vetëm i “Disneyt” që përballet me kritika për qëndrimet e saj mbi konfliktin Izrael-Hamas. Më herët, disa dhjetëra protestues propalestinezë u mblodhën jashtë vendit ku po mbahej premiera e filmit “Captain America: Brave New World”, duke bërë thirrje për bojkot për shkak të përfshirjes së personazhit izraelit Ruth Bat-Seraph (Sabra), të luajtur nga aktorja izraelite Shira Haas.
Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej “‘Disney’ mbështet gjenocidin”.
Ndërsa disa grupe kulturore palestineze e kritikuan studion “Marvel”.
“Duke ringjallur këtë personazh racist në çfarëdo forme, ‘Marvel’ po promovon shtypjen brutale të palestinezëve nga Izraeli”, kanë deklaruar ata.
VIDEO: