Festivali i filmit në Stamboll, i planifikuar të mbahej për katër ditë, u anulua të enjten në shenjë proteste ndaj një vendimi të autoriteteve lokale për të bllokuar shfaqjen e filmit “Queer”, një dramë me aktorin e mirënjohur, Daniel Craig.
Ky film i regjisorit Luca Guadagnino, do të ishte filmi hapës i festivalit, por u ndalua nga autoritetet e rrethit Kadikoy vetëm disa orë para fillimit të ngjarjes, ka shkruar The Guardian.
Drejtuesit e platformës transmetuese “Mubi”, e cila organizon festivalin, njoftuan se filmi “Queer” u ndalua nga autoritetet me arsyetimin se ka përmbajtje provokuese që mund “të nxisnin shqetësime”.
Autoritetet e Kadikoyt kanë deklaruar se vendimi ishte marrë për “arsye sigurie”, por përfaqësuesit e “Mubit” e dënuan këtë si shkelje të lirisë së shprehjes dhe artit.
Ata janë shprehur se një ndalim i tillë nuk dëmton vetëm një film, por edhe qëllimin dhe vlerat e të gjithë festivalit.
“Festivalet janë hapësirë ku merret frymë lirshëm, ku nderohet arti dhe diversiteti kulturor, i cili i bashkon njerëzit. Kjo ndalesë ndikon jo vetëm tek filmi, por edhe tek kuptimi dhe qëllimi i tërë festivalit”, thuhet në deklaratën e drejtuesve të “Mubit”.
“Queer” tregon historinë e një burri të vetmuar, (rolin e të cilit e luan Craig) dhe të varur nga droga dhe lidhjen e tij me një tjetër burrë.
Filmi përmban skena eksplicite dhe trajton emocionet e larta dhe uljet e marrëdhënies.
Ai është bazuar në një roman të William S. Burroughs.
Ani pse homoseksualiteti është legalizuar në Turqi që nga viti 1858, çështjet LGBTQ+ janë ende shumë të ndjeshme në shoqërinë turke.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan shpesh herë ka përdorur fjalë të tilla si “pervers” për të përshkruar personat LGBTQ+ dhe i ka akuzuar për kërcënim të familjes tradicionale.
Qeveria turke ka marrë masa të rrepta ndaj të drejtave të LGBTQ+, duke ndaluar çdo vit marshin e krenarisë në Stamboll që nga viti 2015, duke thënë se është për arsye sigurie.
Pjesëtarët e komunitetit LGBTQ+ në Turqi përballen shpesh me ngacmime dhe diskriminim.
Ky ndalim i filmit “Queer” është një tjetër shembull i censurës ndaj përmbajtjeve LGBTQ+ në Turqi. Në vitin 2020, Netflix ndaloi një projekt për një seri turke që kishte një personazh homoseksual, pasi nuk mundi të merrte miratimin nga qeveria për xhirimin e tij.
“Mubi”, platformë filmash e themeluar në vitin 2007 nga sipërmarrësi turk Efe Cakarel, është një shërbim transmetimi që operon në më shumë se 195 shtete.
Platforma ishte duke planifikuar këtë festival për të promovuar këmbimin kulturor dhe lirinë e shprehjes artistike, por anulimi i ngjarjes thekson vështirësitë që hasin artistët dhe krijuesit e filmave në vendet që kanë politika kufizuese për përmbajtjen LGBTQ+.