Showbiz

Cate Blanchett thotë se po tërhiqet nga aktrimi

Cate Blanchett

Cate Blanchett

Foto: Associated Press

Aktorja Cate Blanchett ka njoftuar se ka vendosur të largohet nga aktrimi, duke thënë se ka “shumë gjëra të tjera që dëshiron të bëjë me jetën e saj”.

“Nuk e quaj më veten aktore … sepse po heq dorë. Familja ime nuk pajtohet por e kam seriozisht”, ka thënë ajo në një intervistë për Radio Times, ka raportuar The Guardian.

Deklarata vjen në një periudhë kur Blanchett është ende mjaft aktive profesionalisht.

Ajo sapo ka përfunduar një rol në skenë si Arkadina në dramën “The Seagull”, në Barbican të Londrës. 

Gjithashtu ka realizuar një film thriller me aktorin Michael Fassbender, me regji të Steven Soderbergh (projekti filmik “Black Bag”).

Ajo po ashtu po punon në projekte të reja si aktore dhe producente: në projektet filmike si “Alpha Gang”, “The Champions” dhe filmi i ri i Jim Jarmusch, “Father, Mother, Sister, Brother”.

Pavarësisht angazhimeve, Blanchett është shprehur se ndjehet e huaj në botën e famës.

“Gjithmonë jam ndier në periferi. Nuk pres të më pranojnë apo mirëpresin. Kam kaluar jetën duke u ndier rehat me ndjesinë e parehatisë. Askush nuk më duket më i mërzitshëm se vetja ime. Njerëzit e tjerë më duken shumë më interesantë”, ka thënë ylli.

Blanchett është ndër aktoret më të vlerësuara të brezit të saj, me role të paharrueshme në filma si “Blue Jasmine”, “Tár”, “Carol”, “Elizabeth”, “I’m Not There” dhe “The Aviator”.