Aktorja e njohur Cate Blanchett ka zbuluar se ajo dhe bashkëshorti i saj Andrew Upton, kur u martuan në vitin 1997, nuk kishin para për të paguar një fotograf. Si rezultat, ata kanë vetëm një foto nga dita e tyre e madhe.
“Kur u martuam, nuk kishim para. Nuk mund të përballonim një fotograf dhe kishim dy miq që ishin fotografë”, ka thënë aktorja gjatë një interviste në The Drew Barrymore Show, ka raportuar FemaleFirst.
Por, fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk arriti të kapte momentet e veçanta të ditës.
“Njëri u deh aq shumë sa harroi të vendoste filmin në kamerë, ndërsa tjetri e shijoi aq shumë festën, sa nuk bëri asnjë fotografi. Si rezultat, kemi vetëm një fotografi të dasmës sonë”, ka treguar Blanchett.
E vetmja fotografi e mbetur, sipas saj, është një imazh i paqartë i çiftit teksa hipnin në makinë.
“Në atë kohë u ndjeva shumë e trishtuar dhe qava, sepse nuk kishim kujtime të regjistruara. Por tani, në njëfarë mënyre, jam e lumtur që nuk kemi fotografi, sepse më detyron ta kujtoj dasmën përmes kujtimeve në mendjen time”, ka thënë 55 vjeçja.
Blanchett dhe Upton janë bashkë qe 27 vjet dhe kanë katër fëmijë: Dashiell 23 vjeç, Roman 20 vjeç, Ignatius 17 vjeç dhe vajzën Edith 10 vjeçe.
Aktorja ka treguar më parë se Upton i ka propozuar martesë pas më pak se një muaji lidhje, por ajo ishte e sigurt për të pas vetëm tri ditësh.
Në një intervistë në The Ellen DeGeneres Show, ajo pati kujtuar momentin kur ai ka i propozuar martesë.
“Ishte pas tri ditësh dhe ne ishim në shtrat, siç ndodh. Ai u kthye nga unë dhe tha: ‘Cate…’ Mendova me vete: ‘Në dreq, tani do të më propozojë dhe unë do të duhet të them po’. Por ai tha: ‘Jam i uritur. Do të shkojmë të hamë diçka?’”, pati treguar ylli.

Blanchett ka thënë se pas 21 ditësh, Andrew më në fund i kërkoi dorën dhe ajo pranoi.
“I gatuajta ushqim të tmerrshëm. Për ndonjë arsye, mendova se një troftë e mbushur me arra dhe djathë dhie do të ishte ide e mirë. Ai e hëngri dhe më pas më propozoi, kështu që qartësisht duhet të ketë qenë në halucinacione!”, ka thënë me shaka aktorja.