Showbiz

Camille Vasquez, avokatja e Johnny Deppit që u shndërrua në yll

Miliona shikues anembanë globit e ndoqën vazhdimisht betejën ligjore midis personazheve të Hollywoodit, Johnny Depp dhe Amber Heard, dhe ndërsa drama shpalosej, një yll i ri doli në qendër të vëmendjes: avokatja e Deppit, Camille Vasquez.

Avokatja e re nga Kalifornia ka tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve gjatë gjyqit për shpifje që klienti i saj ka ngritur kundër ish-bashkëshortes së tij, shkruan BBC-ja të mërkurën.

Vasquez, 37 vjeçe, është bërë një bashkë-yll i padëshiruar i shfaqjes, duke fituar fansa për stilin e saj të mprehtë ligjor.

Bluzat e zbukuruara me emrin e saj dhe hashtags që e lavdërojnë po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale.

Një video dy-minutëshe e Vasquezit duke ndërprerë në mënyrë të përsëritur avokatin e Heardit për të "kundërshtuar" - një term ligjor i përdorur për të paraqitur një protestë zyrtare në gjykatë - ka grumbulluar mbi 27 milionë shikime në TikTok në vetëm pak ditë.

Klipi viral ka shkaktuar parodi nëpër mediat sociale, në të cilat përdoruesit "kundërshtojnë" miqtë dhe familjen e tyre në bisedë. Së bashku, videot e TikTok-ut duke përdorur hashtagun #CamilleVasquez kanë grumbulluar qindra miliona shikime.

“Unë jam ende një fanse e Johnny Depp”, shkruhet në një nga postimet e shumta në Twitter për të. “Por tani jam edhe një fanse e vendosur e Camille Vasquez”, vazhdon postimi.

E lindur në San Francisko nga prindër kubanë dhe kolumbianë, Vasquez është diplomuar në vitin 2006 në Universitetin e Kalifornisë Jugore dhe në vitin 2010 u diplomua në Shkollën Juridike Jugperëndimore në Los Anxhelosit.

Për katër vitet e fundit, ajo ka qenë bashkëpunëtore në Brown Rudnick, firma ligjore e profilit të lartë e kontraktuar nga Johnny Depp për ta përfaqësuar atë në rastin e tij të shpifjes prej 50 milionë dollarësh kundër ish-bashkëshortes së tij, Heard. Ajo është një nga nëntë avokatët e firmës, të përfshirë në gjyq.

Në vitin 2021, ajo u shpall një nga avokatet më të mira, nga revista për avokatë "One to Watch".

Ajo është e specializuar në çështjet gjyqësore dhe arbitrazh, me fokus në përfaqësimin e paditësve në rastet e shpifjes - siç ka bërë për Depp.

Sidoqoftë, për mbështetësit e saj të sapogjetur, Vasquez është ndoshta më e njohur për kundërshtimet e saj të shumta dhe për një sërë shkëmbimesh të tensionuara me Heard.

Gjatë dy ditëve të marrjes në pyetje, Vasquez u përpoq të hidhte dyshime mbi rrëfimin e Heardit për martesën e saj të trazuar me Deppin, me shpresën se juristët do të shihnin mospërputhje në pretendimet e saj.

Mbrojtja e zjarrtë e Vasquezit ndaj Deppit e ka bërë atë një temë diskutimi brenda lëvizjes #MeToo kundër abuzimit dhe ngacmimit seksual.

Mbështetësit e saj, nga ana tjetër, e kanë mbështetur mbrojtjen e saj për të drejtat e viktimave meshkuj të dhunës në familje dhe si një model potencial.

Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse popullariteti i Vasquezit në mesin e mbështetësve të Deppit do të përkthehet në sukses në sallën e gjyqit.

{gallery}