Aktorja e njohur Cameron Diaz, e cila së fundmi është rikthyer në ekran pas një dekade, ka thënë se kolegu i saj, aktori, Jamie Foxx ishte ai që e riktheu.
Ajo do të luajë në filmin e ri të Netflixit, “Back In Action,” me Foxxin, i cili është projekti i saj i parë filmik pas 10 vjetësh, raporton CNN.
Gjatë një interviste në “The Graham Norton Show”, Diaz ka shpjeguar se Foxx ishte arsyeja pse ajo u rikthye në Hollywood.
“Kam pasur 10 vjet që nuk kam qenë e pranishme në syrin publik. Nuk kam pranuar asnjë ofertë dhe pastaj mora këtë skenar dhe mendova se mund të ishte koha e duhur”, ka thënë aktorja.
Ajo lavdëroi shumë bashkëpunëtorin e saj.
“Nëse do të largohem nga familja ime për 10 orë në ditë, do të doja ta bëja këtë me njeriun më të talentuar të showbizit”, ka thënë Diaz.
Ajo dhe Foxx janë miq të vjetër pasi kanë luajtur së bashku në filma si “Any Given Sunday” (1999) dhe “Annie” (2014).
Edhe pse ka qenë larg ekranit për disa vite, Diaz nuk ka qëndruar pa bërë asgjë. Ajo dhe bashkëshorti i saj, muzikanti Benji Madden, kanë dy fëmijë, e gjithashtu është autore dhe biznesmene e suksesshme.
“I kam dashur këto 10 vjet për veten time dhe për familjen time. Por mendova, ‘Nëse e lë këtë të shkojë, nëse nuk angazhohem përsëri dhe nuk i jap një mundësi aktrimit, do të jem budallaqe’”, ka thënë tutje ylli.
Aktorja shprehu mirënjohjen për mundësinë që ka për t’u rikthyer në kinematografi.
“Është një privilegj të bësh filma, dhe të gjithë jemi kaq me fat që bëjmë atë që bëjmë. Fakti që dera ishte akoma e hapur për mua pas një dekade ishte e mahnitshme”, ka thënë ndër të tjera Diaz.