Showbiz

Bryan Adams del pozitiv me COVID-19 për herë të dytë brenda një muaji

Bryan Adams ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19, me të arritur në Aeroportin Malpensa të Milanos, në Itali, të enjten.

Këngëtari kanadez i muzikës rock’n roll e ka bërë publik testin pozitiv, në një postim në Instagram, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një fotografi ku shihet në një dhomë teksa testohet.

“Sapo arrita në Milano dhe dola pozitiv për herë të dytë brenda një muaji, për COVID-19”, ka shkruar Adams në postimin e tij, duke falënderuar me këtë rast fansat për mbështetjen që i kanë ofruar.

Adams i cili ka edhe karrierë si fotograf, ka bërë fotografitë për kalendarin Pirelli të vitit 2022, pasi paraprakisht ishte angazhuar për të kryer setin e fotografive për kalendarin e vitit 2021, i cili ishte anuluar për shkak të pandemisë.

Këngëtari i famshëm pritej që të paraqitej para mediave për ta promovuar kalendarin, mirëpo tani nuk dihet nëse kjo do të ndodhë.

Në kushte normale, zbulimi i kalendarit Pirelli, është një gala ngjarje e cila ndiqet kryesisht nga ata të cilët bëhen pjesë e tij, dhe të famshëm të tjerë, mirëpo as këtë vit nuk pritet të ndodhë kjo për shkak të koronavirusit.

Image
Bryan Adams në Itali pasi ka rezultuar pozitiv për COVID-19