Showbiz

Blake Lively kerkon të hidhet poshtë padia e Justin Baldonit ndaj saj

Blake Lively

Blake Lively

Foto: Associated Press

Aktorja Blake Lively, po bën përpjekje që të anulojë padinë për shpifje të ngritur ndaj saj nga aktori Justin Baldoni. Sipas saj, kjo është përpjekje hakmarrëse, pasi ajo ka folur hapur për "ngacmimet seksuale dhe hakmarrjen në vendin e punës" nga Baldoni, ka raportuar Female First.

Ekipi ligjor i Livelyt, përfaqësuar nga avokatët Mike Gottlieb dhe Esra Hudson, ka deklaruar se padia e Baldonit është “e pabazë” dhe “hakmarrëse”. 

“Kjo padi është abuzim i thellë i procesit ligjor që nuk ka vend në një gjykatë federale. Ligji i Kalifornisë tashmë ndalon qartësisht paditë kundër viktimave që flasin për ngacmime seksuale ose hakmarrje, qoftë një padi ligjore apo akuzë në media”, kanë deklaruar ata.

Kodi Civil në Kaliforni, synon t'i mbrojë viktimat e ngacmimeve seksuale nga paditë hakmarrëse që synojnë t‘i heshtin ato. Sipas ekipit ligjor të Livelyt, kjo padi e Baldonit bie ndesh me këtë kod dhe, nëse rrëzohet, Baldoni mund të detyrohet të paguajë tarifat ligjore dhe dëmshpërblime Livelyt.

“E vërteta e dhimbshme është se znj. Lively nuk është e vetme në përballjen me padi për shpifje pasi ka folur për ngacmimet seksuale në vendin e punës. Pikërisht për këtë arsye, Kalifornia miratoi së fundmi ligjin e ri”, ka thënë në një deklaratë për shtyp përfaqësuesi i aktores.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 9 mars 2026.