Showbiz

Billie Eilish shpallet “Artistja e vitit” nga Apple Music

Billie Eilish

Billie Eilish

Këngëtarja Billie Eilish është shpallur “Artistja e Vitit” nga Apple Music për herë të dytë në karrierën e saj.

22 vjeçja, e cila, më herët gjatë këtij vitit, ka publikuar albumin e saj të tretë, “Hit Me Hard and Soft”, është nderuar për ndikimin e saj në skenën muzikore gjatë vitit 2024.

Eilish, e cila ka fituar shumë çmime gjatë karrierës së saj, përfshirë çmimet “Grammy” dhe “Oscar”, ka thënë disa fjalë për çmimin që i ka dhënë Apple Music, ka shkruar FemaleFirst.

“Që nga dita e parë, ‘Apple Music’ ka mbështetur muzikën dhe artin tim, dhe jam e nderuar dhe e përulur që marr çmimin ‘Artistja e vitit’ kaq shumë vite pas fillimit të karrierës sime”, ka thënë Eilish.

Ylli është gjithashtu artistja e parë që e fiton këtë çmim dy herë, pasi e mori atë edhe në vitin 2019.

Rachel Newman, drejtoreshë e përmbajtjes dhe redaktore në “Apple Music”, ka thënë se shërbimi i transmetimit ka qenë gjithmonë në mbështetje të punës së Eilishit.

“Që kur dëgjuam për herë të parë këngën ‘Ocean Eyes’ pothuajse një dekadë më parë, ne kemi qenë fansa dhe mbështetës të punës së Billies. Është gjithmonë speciale kur një artist i ri mund të krijojë lidhshmëri me kaq shumë njerëz e kaq shpejt. Por ajo që ishte vërtet e jashtëzakonshme gjatë këtij viti, nuk është vetëm zëri dhe arti që ajo bën, por fakti që ajo ka lulëzuar me guxim dhe sinqeritet, në mënyrën e saj”, ka thënë Newman.

FemaleFirst ka shkruar se Eilish ka pasur një vit të suksesshëm deri më tani, duke përfshirë nominime për shtatë çmime “Grammy” dhe performancë në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike në Paris. Nominimet e saj për “Grammy” përfshijnë kategoritë “Kënga e Vitit” e “Albumi i Vitit”.