Showbiz

Beyonce thyen rekord me albumin e ri në Spotify dhe Amazon Music

Beyonce

Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga Teksasi, Beyonce, më 29 mars ka lansuar albumin e saj të ri e të parin në zhanrin “country” të muzikës, “Cowboy Carter”. Ky album, pas lansimit, theu rekordin e transmetimeve në platformat Spotify dhe Amazon Music.

Lajmin e bëri të ditur platforma Spotify përmes një deklarate duke thënë se albumi Cowboy Carter u bë më i transmetuari brenda vetëm një dite, raporton Deadline.

“Ky është po ashtu albumi i parë i muzikës ‘country’ që mbanë këtë titull për vitin 2024”, ka shkruar platforma në rrjetin social Instagram.

“’Cowboy Carter’ është bërë albumi më i madh që ka debutuar në platformën tonë, me më së shumti transmetime brenda ditës së lansimit, nga të gjitha albumet që Beyonce ka bërë, si dhe më së shumti transmetime si një album i zhanrit ‘country’ nga një artiste grua”, ka shkruar Amazon Music në Instagram.

Ky album është i teti me radhë që ka lansuar këngëtarja. Këtu përfshihen bashkëpunime me artistë të famshëm si Miley Cyrus, Post Malone, Rhiannon Giddens, Stevie Wonder, Nile Rodgers, Raye, Ryan Beatty e Jon Batiste. Përmes këtij albumi, Beyonce, ka nderuar edhe figurën e këngëtares së mirënjohur Dolly Parton, duke ripërpunuar këngën e saj të mirënjohur “Jolene”.

“Është ndjenjë e mirë të shohësh se si muzika i bashkon njerëzit përreth gjithë botës, ndërkohë që nderon zërat e disa njerëzve të cilët dedikuan shumë nga jetët e tyre duke dhënë mësime të vlefshme për historinë tonë muzikore”, pati thënë më parë Beyonce.