Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga Teksasi, Beyonce, i ka dërguar lule të bardha e të kaltra bashkë me një lodër dinozauri, një adhuruesi dyvjeçar, pasi nëna e tij, Bea Fabregas, ndau një video në rrjetin social TikTok ku i vogli pyeste se ku është këngëtarja.
Tyler Fabregas nga Manila, Filipine, në videon e postuar nga mamaja e tij, pyet “Ku është Beyonce?”, ndërkohë mamaja i thotë se është në shtëpi, raporton CBSNews.
“Ajo është mikja jonë”, insiston Tyler.
Në videon që postoi Fabregas, Tyler thotë “Dua ta vizitoj Beyoncen. Ti e njeh personalisht, ajo është shoqja jonë” ndërkohë që në sfond dëgjohet kënga e saj “Texas Hold ‘Em”, nga albumi i ri i këngëtares.
@beafabregas Tyler this whole video: Hina naman ni mama hindi kilala si Beyonce 🤨 #fyp #momsoftiktok
♬ original sound - beafabregas - beafabregas
Beyonce e befasoi vogëlushin pasi e ka parë videon virale dhe kërkoi nga ekipi përfaqësues i saj që të kontaktonte familjen e djalit.
“Sa për dijeni, Beyonce dhe Tyler tani me të vërtetë e zyrtarisht janë shokë. Nga fuqia e internetit të mbretëreshës B, ajo e pa videon dhe na dërgoi lulet e saj të preferuara të kaltra e të bardha dhe një ‘shok të ngushtë’ dinozaur për Tylerin dhe një porosi shumë të ëmbël që familja jonë do ta ruaj e vlerësojë gjithmonë”, ka shkruar në postimin e saj nëna e Tylerit, Fabregas.
“Me tërë ato mesazhe që merr Beyonce çdo ditë, na vjen shumë mirë të dimë se ajo ndau kohë nga agjenda e saj e ngjeshur për të na dërguar këtë dhuratë të çmuar. Tyleri ndoshta është tepër i vogël për ta mbajtur në mend gjithë këtë, por gjithmonë do t’ia rikujtojë të ëndërrojë sa të mundet e të i prekë yjet. Beyonce i dërgoi lule bebes time”, shkroi tutje Fabregas.
Sipas saj në porosinë e Beyonces shkruhej “për mikun tim Tyler” dhe përfshihej një mesazh ku thotë: “e shoh engjëllin që ke brenda Tyler”, që vjen si referencë nga hiti i saj i vitit 2008 “Halo”.
Në postimin e Fabregasit përfshiheshin ‘screenshots’ të shkëmbimit të mesazheve që pati me publicisten e Beyonces, Yvette Noel-Schure.
“Po ju shkruaj për videon më të ëmbël që postuat me djalin e vogël që donte të vizitonte Beyoncen. A jeni ju familjarë e tij? Ajo do të donte t'i dërgonte diçka”, thuhet në mesazhe.
Beyonce shumë herë u ka dërguar lule miqve të saj përgjatë muajve të fundit, madje edhe shumë personaliteteve të famshme përfshirë Jack White, K.Michelle, Renee Rapp, Katie Couric, Megan Thee Stallion e Mickey Guyton.