Muzikanti Benny Blanco ka treguar se është bërë një “Swiftie” (adhurues i muzikës së këngëtares Taylor Swift) i vërtetë falë fejesës së tij me artisten Selena Gomez.
Gjatë një interviste në emisionin Hot Ones, ku Blanco mori pjesë bashkë me Gomezin, ka shpjeguar se, edhe pse ishte në dijeni të muzikës së Swift para se të fillonte të takohej me Gomezin, ai nuk ishte adhurues i vërtetë deri sa ata u lidhën, ka raportuar Female First.
Ai ka treguar tutje se tani gjen veten duke kënduar këngët e Swiftit, përfshirë ato të para 10 vjetëve, dhe e ndien lirinë teksa i dëgjon.
“Nuk e dija fare... para se të fillonim të dilnim, natyrisht që e kam njohur muzikën e Taylor Swift, por nuk isha një ‘Swiftie’ i vërtetë derisa u lidha me Selenan. Tani i them, ‘lëshoje atë këngë’. Dhe kur jemi në makinë them, ‘Wow, po këndoj këngët e Taylor Swift të para 10 vjetëve dhe ndihem i lirë”, ka thënë Blanco.
Gomez, e cila është mike e ngushtë e Swift dhe adhururese e madhe e muzikës së saj, i ka cilësuar këngët e saj si “të pavdekshme”.
Po ashtu, në intervistë, Gomez ka treguar për përvojën e punës me Blancon në albumin e ri “I Said I Love You First”, duke theksuar se ndihej shumë komode për të hapur zemrën dhe për të ndarë pasiguri që nuk do të mund t’ia thoshte asnjë producenti tjetër.
Blanco, nga ana tjetër, e ka përshkruar realizimin e albumit si eksperiencë pa stres.
“Kur punon me njerëz, ndodhin përplasje herë pas here. Çdo herë që kishte ndonjë mosmarrëveshje, tjetri thoshte, ‘Oh, okej, s’ka problem’. Dhe gjithashtu, patëm mundësinë ta bënim albumin në shtëpinë tonë, në dhomën tonë të gjumit. Ishte një eksperiencë pa shumë stres”, ka thënë 37-vjeçi.