Aktori i njohur Ben Affleck, ka folur për herë të parë publikisht rreth divorcit të tij nga artistja Jennifer Lopez. Ai ka folur në një intervistë për prestigjiozen GQ. Affleck ka shprehur respekt për këngëtaren e hitit “Jenny from the Block”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ngjarje dramatike që çoi në ndarjen e tyre.

“Nuk ka asnjë skandal, asnjë telenovelë, asnjë intrigë. E vërteta është se, kur dikush të pyet ‘Çfarë ndodhi?, nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Është thjesht një histori njerëzish që përpiqen të kuptojnë jetën dhe marrëdhëniet e tyre në mënyrën që të gjithë ne e bëjmë. Dhe ndërsa plakemi, për mua, dhe besoj për shumicën e njerëzve, nuk ka më ‘ky bëri këtë’ ose ‘kjo ishte ngjarja e madhe’”, ka thënë Affleck.

Ai ka shtuar se divorci nuk ishte rezultat i një ngjarjeje specifike, por më shumë një proces i zakonshëm dhe i komplikuar.
“Ka një tendencë për t’i analizuar divorcet dhe për të kërkuar një shkak kryesor. E vërteta është shumë më e thjeshtë se sa mendojnë njerëzit”, ka thënë tutje aktori.
Në intervistë, ylli ka reflektuar edhe për përfshirjen e tij në dokumentarin e vitit 2024 të Lopezit, “The Greatest Love Story Never Told”, i cili u publikua së bashku me albumin e saj “This Is Me… Now”. Në një skenë të dokumentarit, Affleck pati shprehur rezervat e tij për ndarjen e detajeve të marrëdhënies së tyre me publikun.
“Është historia më e madhe e dashurisë që nuk është treguar, dhe nëse po bën një album për të, kjo duket pak si ta tregosh atë”, ka thënë Affleck.

Ai ka pranuar se “temperamenti im është të jem pak më i rezervuar dhe privat” sesa i Lopezit, por theksoi se kjo nuk ishte arsyeja kryesore e ndarjes së tyre.
“Mendoj se është e rëndësishme të them që kjo nuk ishte arsyeja e ndonjë ndarjeje të madhe. Nuk është se mund të shikoni atë dokumentar dhe t’i kuptoni problemet tona”, ka shtuar 52-vjeçari.

Affleck dhe Lopez u njohën gjatë xhirimeve të komedisë romantike “Gigli” dhe u fejuan në vitin 2002, por anuluan martesën në vitin 2003 për shkak të vëmendjes së madhe mediatike. Pas disa martesave të dështuara dhe lidhjeve të tjera, dyshja u rikthye bashkë në vitin 2021 dhe u martua një vit më pas.
Megjithatë, në vitin 2024, Lopez kërkoi divorcin në Gjykatën Supreme të Los Angelesit në përvjetorin e tyre të dytë të martesës.

Pas ndarjes, Lopez ka anuluar turneun saj veror në Amerikën e Veriut, duke thënë se dëshironte të kalonte kohë me fëmijët, familjen dhe miqtë e ngushtë.
“Kur të shembet gjithë bota, qëndron në rrënoja dhe mendon, ‘Si mund ta shmang këtë në të ardhmen?’” - pati thënë ajo në një intervistë për Interview Magazine.