Aktorja britanike Bella Ramsey, që u bë e njohur me rolet e saj në projektet filmike si “Game of Thrones” dhe më pas në “The Last of Us", ka treguar se nuk është ndier kurrë rehat me famën, edhe pse e ka pranuar si pjesë të profesionit.

“Fama më është dukur gjithmonë diçka sipërfaqësore, s’e kam shijuar kurrë vërtet. Por e pranoj si një pjesë që duhet ta përballoj, të bëj çfarë duhet bërë, dhe më pas kalon”, ka thënë ajo në një intervistë për “Interview Magazine”.
Ajo ka thënë gjithashtu se kishte shumë frikë të pranonte rolin në serialin “The Last of Us”, sepse mendonte se do t’i sillte një nivel fame që nuk do ta linte më rehat.

“Por kuptova që, në të vërtetë, fama që vjen nga një serial është e përkohshme. Zgjat disa muaj gjatë transmetimit... pastaj shuhet. Nëse nuk bën diçka që ta ushqesh vazhdimisht, bota ecën përpara, dhe për këtë jam shumë mirënjohëse”, ka thënë 21-vjeçarja.
Përveç sfidës me famën, Ramsey ka treguar edhe për një tjetër hap të madh në jetën personale, të jetojë vetëm për herë të parë.

“Kam jetuar si e vetme gjatë xhirimeve të sezonit të dytë në Vancouver, por kjo është hera e parë që jetoj vetëm, pa qenë e lidhur me punën. Kam pasur disa bashkëjetues më parë, por tani më pëlqen shumë më shumë të jetoj vetëm. Edhe pse ndonjëherë është vetmuese, tani kam miq në Londër afër meje, gjë që më ndihmon”, ka thënë aktorja.