Showbiz

Bëhet gati sezoni i dytë i serialit “And just like that...”

Sezoni i dytë i serialit “And just like that...” është pothuajse gati dhe fansat po e presin me entuziazëm.

Ky serial është një ringjallje e hitit televiziv, “Sex and the City”, i cili u transmetua në kanalin HBO për gjashtë sezone, nga viti 1998 deri më 2004, e që u krijua nga Darren Star dhe bazohej në librin me të njëjtin emër të autores, Candace Bushnell.

Kasti kryesor i serialit do të vazhdojë ta paraqesë Sarah Jessica Parker e cila e portretizon protagonisten Carrie Bradshaw, Cynthia Nixon që vjen në rolin e Mirandas, Kristin Davis që e luan rolin e Charlottes, Mario Cantone që paraqet Anthony Marentino, David Eigenberg që luan rolin e Steve Brady, Evan Handler që portretizon Harry Goldenblatt, Sara Ramirez që luan rolin e Che Diaz dhe Sarita Choudhury që luan rolin e Seema Patel.

Megjithatë do të ketë disa fytyra të reja në sezonin e dytë të serialit. Në rolin e Aidan Shaw do të paraqitet aktori John Corbett dhe Candice Bergen si Enid Frick së bashku me Tony Danza, Sam Smith dhe Victor Garber. Befasia më e madhe është kthimi i Kim Cattrall në rolin e Samantha Jones.

Përpara daljes së sezonit të dytë, kritikët e filmit kanë dhënë disa parashikime rreth vazhdimit të këtij seriali dhe përmbajtjes së sezonit të dytë.

Dashuria e jetës e Carries

Disa fotografi nga seti sugjerojnë se Carrie do të rindezë romancën e saj me Aidan (luajtur nga John Corbett). Aidan është një personazh që vjen nga “Sex and the City”.

Miranda dhe Che

Nga trileri i sezonit të dytë shihet se Miranda do të jetë e lidhur me Che. Ky çift në sezonin e dytë ka bërë një hap më serioz dhe është në një lloj marrëdhënieje. Duke marrë parasysh zhvillimet e sezonit të fundit, Miranda do të kalojë nga New Yorku në Los Angeles dhe do të kthehet përsëri në New York për të qenë me Che. E gjithë kjo, megjithatë, do të ketë një lloj kostoje.

Plani prindëror i Charlottes

E ëmbla Charlotte u befasua me një “bombë” nga vajza e saj Lily e cila dëshiron të humbasë virgjërinë e saj. “Plani prindëror” është fokusi i rolit të Charlottes.