Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, është larguar nga rrjetet sociale për shkak se ndihet e turpëruar me format e saj trupore.
Ylli 32-vjeçar i muzikës e cila përgjatë vjetëve i ka inspiruar fansat me mesazhe pozitive, u përlot teksa me sinqeritetin më të madh i informoi ata se po vazhdon ta ketë të vështirë ta pranojë trupin e saj ashtu siç është, dhe se po ndihet më e plotë se kurrë prandaj edhe ka vendosur të postojë më pak fotografi në rrjetet sociale.
Në një video të postuar në TikTok, Rexha tha: “Pra, jemi tek festat e fundvitit dhe e di që të gjithë duhet të ndihemi të lumtur dhe të hareshëm, por unë nuk po ndihem ashtu. Mendoj se kurrë me parë nuk kam qenë kaq e plotë. Sapo e mata veten dhe nuk ndihem rehat ta ndajë peshën time me ju, ngase po ndihem e turpëruar me format e mia trupore. Dhe jo vetëm kaq. Thjeshtë po ndihem e neveritshme në trupin tim”.
Ylli i hitit “Call You Mine” e pranoi se nuk dëshiron të postojë fotografi në rrjetet sociale, kur nuk ndihet mirë me veten dhe dukjen e saj.
“Kohëve të fundit nuk po postoj shumë sepse nuk po ndihem mirë në lëkurën time dhe kur nuk ndihem mirë dhe rehat me veten, preferoj të mos jem prezent online. Dhe sinqerisht, kjo është arsyeja pse nuk kam postuar shumë gjatë këtij viti, të paktën jo sa dikur”.
Kantautorja e famshme në të kaluarën ka folur hapur rreth formave të ndryshme trupore, si dhe i ka inkurajuar adhuruesit e saj ta bëjnë të njëjtën gjë. Bebe madje i ka shfrytëzuar koncertet e saj si mënyrë për të bartur mesazhe pozitive rreth pranimit të vetvetes. Ajo mendon se është e rëndësishme që fansat ta dinë që bukuria dhe vlera e njeriut nuk matet nga pesha apo trashësia, dhe nuk duhet të brengosen shumë rreth asaj se çfarë mendojnë të tjerët për ta. Megjithëkëtë, ajo nuk e mohon që edhe për të personalisht, pranimi i vetes në çfarëdo forme trupore nuk është edhe aq i lehtë.