Ylli i muzikës, Bebe Rexha, ka kritikuar platformën TikTok për sugjerimin e një termi kërkimi për peshën e saj, në një video të performancës së këngëtares.
“Të shohësh atë shirit kërkimi është shumë shqetësuese. Unë nuk jam hidhëruar sepse kjo është e vërtetë. Kam shtuar në peshë. Por, thjesht kjo nuk është diçka e lehët për mua dhe më bënë të ndihem keq. I falënderojë të gjithë njerëzit që më duan pa kushte”, deklaroi Bebe përmes një postimi në Twitter.
Seeing that search bar is so upsetting. I’m not mad cause it’s true. I did gain weight. But it just sucks. Thank you to all the people who love me no matter what. pic.twitter.com/EGkGybhcRY
— Bebe Rexha (@BebeRexha) April 16, 2023
Rexha, emri i vërtetë i së cilës është Bleta Rexha, edhe në të kaluarën ka folur publikisht për faktin se është kritikuar për peshën e saj dhe është ballafaquar me sfida të ndryshme rreth pamjes fizike.
Në vitin 2021 përmes një videoje të postuar në TokTok, ajo tregoi se si shtimi i peshës ndikoi në vetëbesimin e saj edhe pse shpesh promovon pozitivitetin e trupit në mediat sociale. Ajo e pranoi se është përpjekur shumë të mësojë ta ndihmojë dhe dashurojë veten ashtu siç është, pasi për një kohë të gjatë nuk ndihej mirë në lëkurën e saj.
Ylli i hitit “I Got You” tashmë ka filluar të marrë përkrahje nga fansat në Twitter, ku njëri shkroi: “E dua Beben për faktin se është shumë unike dhe reale, ajo e dashuron veten si nga brenda ashtu edhe nga jashtë dhe ne e shohim këtë gjë”, kurse një tjetër adhurues i këngëtares deklaroi: “Ajo është e bukur kështu siç është”.
Përdoruesit tjerë të Twitterit e kritikuan aplikacionin TikTok për faktin se nuk po i mbron sa duhet përdoruesit e vet nga bullizmi dhe ofendimet online.
Para pak ditësh këngëtarja me prejardhje shqiptare mori pjesë në festivalin e njohur të muzikës, “Coachella”, ku edhe i interpretoi disa këngë. Ajo postoi fotografi nga kjo ngjarje ku dukej mjaft e lumtur dhe e kënaqur me pamjen e saj fizike.
Në anën tjetër, edhe dhjetë ditë na ndajnë nga lansimi i albumit të tretë të Rexhës të incizuar në studio, dhe i cili i përmban gjithsej 12 këngë që janë: “Heart Wants What It Wants”, “When It Rains”, “Call On Me”, “Miracle Man”, “Satellite” me Snopp Dogg, “I’m Good (Blue)” me David Guettan, “Seasons” me Dolly Parton, “Visions (Don’t go)”, “I’m Not High, “I’m In Love”, “Blue Moon”, “Born Again” dhe “I Am”.
Të enjten më 20 prill, Bebe e publikon bashkëpunimin e saj me ikonën e repit, Snoop Dogg. Kënga titullohet “Satellite”.