Superyjet global të muzikës, David Guetta dhe Bebe Rexha, e kanë publikuar videoklipin e bashkëpunimit të tyre të fundit, “I’m Good (Blue)”, pas lansimit të këngës në versionin audio në muajin gusht. Nga atëherë, kënga ka arritur të transmetohet 250 milionë herë nëpër platformat muzikore anembanë botës, dhe vazhdon të korrë suksese tutje.
“I’m Good (Blue)” i kombinon vokalin e fuqishëm të këngëtares me prejardhje kosovare me tinguj euforik të pianos të krijuara nga DJ dhe producenti i njohur, Guetta. Kështu krijohet një energji infektive e përshtatshme për pistën e vallëzimit. Kënga po ashtu është shndërruar një hit në rrjetin social TikTok.
Rexha dhe Guetta filluan të punojnë rreth kësaj kënge në vitin 2017, por pasi e panë që ajo po shkakton bujë online, më në fund vendosën se është koha e duhur për ta lansuar atë zyrtarisht.
David Guetta ka qenë mjaft aktiv vjetëve të fundit. Ai i ka publikuar disa këngë hite si, ripërpunimi i këngës “Satisfaction” me Benny Benassin dhe “Family Affair (Dance For Me)”, remix ky i cili i ka arritur më shumë se 10 milionë transmetime nga publikimi në muajin korrik.
Guetta po ashtu vazhdon ta dominojë botën e muzikës pop, me publikimin e këngëve të fundit, “Don’t You Worry”, në bashkëpunim me yllin latin Shakira dhe grupin “Black Eyed Peas”, dhe “Crazy What Love Can Do”, një hit i padiskutueshëm që tashmë ka arritur të transmetohet më shumë se 150 milionë herë nëpër platformat e ndryshme muzikore dhe aktualisht pozicionohet në vendin e pestë të toplistës së këngëve më të mira në Britani të Madhe.