Këngëtarja, Beatrice Kristi Ilejay Laus, e njohur me emrin skenik, Beabadoobee, thotë se Taylor Swifti është një artiste e cila i frymëzon dhe fuqizon gratë në industrinë e muzikës.
Këngëtarja e hitit “Coffee” pritet që ta shoqërojë fituesen e shumëfishtë të shpërblimit “Grammy” në disa koncerte të turneut të saj të ardhshëm, “The Eras Tour”, i cili fillon muajin e ardhshëm. Kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet për muzikanten 22-vjeçare, e cila gjatë gjithë karrierës së saj kishte dëshiruar ta ndajë skenën me krijuesen e hitit “Anti-Hero”.
“Më kujtohet t’i kem thënë një intervistuesi se artistja e ëndrrave të mia, e cila do të doja të më përkrahte në këtë rrugëtimin timin në muzikë, është pikërisht Taylor Swift. Dhe pastaj një ditë mora telefonatë nga menaxheri im i cili më tha se ajo dëshiron që ta shoqërojë në disa koncerte të turneut të ardhshëm. Në atë moment i telefonova të gjitha shoqet e mia për ta ndarë këtë lajm jashtëzakonisht emocionues me personat e mi të dashur”, deklaroi ajo për gazetën “The Times”.
Tutje, këngëtarja filipino-britanike i thuri lëvdata Swiftit për faktin se gjithmonë bënë thirrje për barazi për gratë.
“Gjithmonë e kam pëlqyer muzikën e saj. Unë jam rritur me ato këngë. Mendoj se ‘Love Story’ ishte zilja e telefonit tim mobil kur isha vetëm shtatë vjeçare. Nuk do të thosha se bëjë pjesë në grupin e adhuruesve të saj të flaktë, por e vlerësoj faktin se çfarë tekstshkruese e mahnitshme është dhe sa e talentuar dhe e suksesshme është si artiste në përgjithësi. Gjithashtu e çmoj jashtëzakonisht shumë për mbështetjen që ua jep grave dhe sa fuqizuese është për të gjitha”.

Beabadoobee, e cila është në lidhje dashurie me regjisorin Jake Erland, aktualisht është duke fantazuar për një performancë të mundshme të megayllit në dasmën e saj të ardhshme.
“Nëse përfundoj duke u martuar në Vegas, padyshim dua që ajo të këndojë në dasmën time”, deklaroi ajo duke bërë shaka.
Në anën tjetër, kantautorja e mirënjohur foli gjithashtu për anën e errët të rrjetit social TikTok, dhe komentet e zymta që i ka marrë nga djemtë e rinj në videot e saj.
Beabadoobee i ka disa këngë të publikuara me videoklip. Projekti i saj i fundit i lansuar në platformat muzikore titullohet, “Glue Song”, dhe tashmë ka shënuar suksese të mira edhe në toplistat muzikore.