Sean “Diddy” Combs, reperi dhe producenti i njohur 55-vjeçar, po përballet me një padi të re nga ish-partneri i tij i biznesit, Kirk Burrowes, bashkëthemelues dhe ish-president i “Bad Boy Entertainment”.
Sipas revistës “Rolling Stone”, Burrowes e akuzon Combsin për kulturë toksike pune, të mbushur me ngacmime seksuale, agresion dhe “detyrim për të pranuar akte degraduese seksuale”.
Në padinë me 18 faqe, ai pretendon se ka qenë viktimë e abuzimit seksual, zhveshjes së detyruar dhe sulmit seksual nga Combsit gjatë themelimit të labelit të tyre muzikor.
“Combsi më detyronte të shihja teksa kryente akte seksuale me punonjës, stazhierë dhe artistë të mundshëm në zyrën tonë në Manhattan”, thuhet në padi.
Burrowes ka shtuar se shpesh thirrej për takime biznesi, vetëm që të përballej me situata degradimi dhe kontrolli psikologjik.
Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në vitin 1995, kur Combs e ka mbajtur të bllokuar Burrowesin në një apartament, i ka marrë çelësat, e ka shtrirë në shtrat dhe ka simuluar marrëdhënie derisa ka arritur në orgazëm.
Ai gjithashtu pretendon se gjatë një udhëtimi pune të po atij viti, Combs e ka ftuar në suitën e tij dhe e ka pritur i zhveshur, duke kërkuar që ai ta shikonte ndërsa masturbohej.
Në padi përmendet edhe një ngjarje e vitit 1996, kur Combs dyshohet se ka hyrë në zyrën e Burrowesit me një shkop bejsbolli dhe e ka detyruar të heqë dorë nga 25% e aksioneve të tij në “Bad Boy Entertainment”.
“Në vitin 2006, burime të ndryshme më informuan se Combs kishte përdorur ndikimin e tij për të siguruar që asnjë label i madh apo kompani menaxhimi të mos më punësonte, duke më detyruar të kaloja në një situatë të paqëndrueshme ekonomike”, thuhet në padi.
Padia është ngritur në bazë të Aktit për Viktimat e Dhunës së Motivuara nga Gjinia, i cili në vitin 2022 hapi një dritare dyvjeçare për ngritjen e padive civile, edhe nëse ato kishin kaluar afatin shtatëvjeçar të parashkrimit. Afati për ngritjen e padive përfundoi më 1 mars 2025, dhe vetëm më 28 shkurt u dorëzuan më shumë se 12 padi të reja kundër Combsit, sipas FemaleFirst.
Ekipi ligjor i Combs i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si “padi të pabaza që janë hedhur poshtë disa herë gjatë 30 vjetëve të fundit”.
Ky proces i ri gjyqësor vjen në një kohë kur Combs tashmë ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut. Ai është në pritje të gjyqit, për akuza të rënda që përfshijnë trafik seksual, zhvatje dhe transport për prostitucion. Gjykimi pritet të nisë në fillim të muajit maj.
Sipas Business Insider, që nga muaji nëntor i vitit 2023, rreth 18 persona kanë ngritur padi kundër “ikonës globale” për përdhunim, sulm seksual, abuzim dhe trafikim seksual.