Showbiz

Avokati i reperit Jay-Z mohon akuzat ndaj klientit të tij

Jay-Z

Jay-Z

Foto: Associated Press

Alex Spiro, avokati i yllit të njohur, Jay-Z, ka mohuar akuzat për përdhunim të ngritura ndaj reperit nga një grua anonime.

Gruaja në padi ka pretenduar se Jay-Z dhe kolegu i tij, reperi, Sean “Diddy” Combs e kanë sulmuar seksualisht në vitin 2000, kur ajo ishte 13 vjeç, në një festë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve MTV Music Awards, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Spiro ka paraqitur prova të ndryshme për të argumentuar se historia e akuzueses është “e rreme”. 

Ai ka theksuar se historia e saj ka pasur pasaktësi në lidhje me kohën, siç është fakti se do t’i kishte dashur pesë orë për të udhëtuar nga Rochester në ngjarjen e MTV-së, gjë që, sipas tij, nuk përputhet me rrëfimin e saj për natën në fjalë.

Spiro gjithashtu ka vënë në dukje se padia përmend një “shtëpi të madhe të bardhë me një hyrje në formë të shkronjës U”, ndërkohë që foto të tjera tregojnë reperët dhe Combsin në një klub nate pas ngjarjes, dhe jo në një festë në një shtëpi. 

Të tjera pasaktësi përfshijnë pretendimin e gruas se ajo ka parë ngjarjen në një ekran “jumbotron” jashtë MTV-së, edhe pse prova të tjera tregojnë se nuk ka pasur asnjë ekran të tillë në vitin 2000. 

Gjithashtu, babai i saj ka thënë se nuk e kujton të ketë shkuar ta merrte atë nga një pompë karburanti në New York pas sulmit të supozuar.

Spiro e quajti historinë jo vetëm një gënjeshtër, por “krejtësisht të rreme”.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë”, ka thënë ai.

Ky proces vjen pas një vale të padive për sulme seksuale kundër Combs, i cili përballet me akuza të rënda për krime seksuale.

Jay-Z është gjithashtu i përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore me avokatin që përfaqëson akuzuesen, Tony Buzbee, i cili akuzohet nga Jay-Z për përpjekje shantazhi, duke pretenduar se Buzbee kërkonte marrëveshje të fshehtë ligjore në këmbim të mos publikimit të akuzës në fjalë.

Buzbee, nga ana e tij, ka deklaruar se gruaja është e vendosur në akuzat e saj dhe se “gjykatat ekzistojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet”.

Ndërkohë Combs, aktualisht gjendet në paraburgim në Brooklyn te New Yorkut. Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh amerikan. Gjykimi ndaj “ikonës globale” pritet të nisë të hënën e parë të muajit maj, në vitin e ri.