Këshilli bashkiak i Los Angelesit në SHBA ka mbrojtur nga demolimi shtëpinë ku ka jetuar ylli i mirënjohur Marilyn Monroe.
Vendimi u mor të mërkurën pasi të gjithë anëtarët e Këshilli bashkiak votuan kundër demolimit të shtëpisë, raporton The New York Times.

Shtëpia e stilit spanjoll, që gjendet në Los Angeles, është nën pronësi të Brinah Milstein dhe burrit të saj, producentit Toy Bank.
Çifti ka në pronësi edhe një shtëpi tjetër që ndodhet menjëherë afër shtëpisë së Monroes.
Brinah dhe Roy dëshironin ta demolonin shtëpinë e Monroes në mënyrë që ta zgjeronin pronën tjetër të tyre.
Por në shtatorin e kaluar, një ditë pasi qyteti mori kërkesën që çifti bëri për demolim, Këshilli bashkiak lëshoi një mocion ku kërkohej që shtëpia të deklarohej monument historik kulturor. Kjo gjë menjëherë ndaloi demolimin derisa qyteti të vendoste për statusin e shtëpisë.
Të mërkurën, anëtarja e këshillit, Traci Park, ka thënë se asnjë njeri nuk është më ikonik në Los Angeles se sa Marilyn Monroe dhe shtëpia e saj në Brentwood.

“Të humbet kjo pjesë e historisë, e vetmja shtëpia që ishte në pronësi të Marilyn Monroes, do të ishte shkatërruese për ruajtjen e pasurive historike të qytetit”, ka thënë Park.
Ajo gjithashtu ka bërë kërkesë që kjo shtëpi të bëhet e qasshme për vizitorë, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje rreth kësaj kërkese.

“Mbetem me shpresë dhe shumë e përkushtuar të punoj me pronarët në mënyrë që të shoh se a do të mundë të realizohet kjo gjë në të ardhmen. Por sot le ta ruajmë këtë pjesë historike të kulturës së qytetit të Los Angelesit”, ka thënë ndër të tjera Park.
Ndërkohë avokati i çiftit Brinah dhe Roy, përmes ankesës së tij kundër anëtares së bashkisë, Park, ka thënë se pronarët e ndryshëm paraprakë që kishte shtëpia, kishin bërë ndryshime dhe e kishin rimodeluar brendinë e saj.