Legjenda e komedisë, Rowan Atkinson, po kthehet në ekranin e vogël në Netflix këtë muaj, me ardhjen e serialit të tij krejtësisht të ri Man vs Bee.
Duke marrë rolin e personazhit të ri, Trevor Bingley, ne do shikojmë sesi ai gjen një punë të re si kujdestar në një rezidencë luksoze, të mbushur plot me gjëra të çmuara dhe një qen të adhurueshëm të quajtur, Cupcake. Megjithatë, kur një bletë arrin në skenë, lind një rivalitet dramatik, i cili çon në të gjitha llojet e kaosit që do të prisnit nga një projekt i drejtuar nga Atkinson.
Duke folur si pjesë e një konference virtuale për shtyp me Female First dhe media të tjera, Atkinson pranoi se ai nuk mendon se shija e tij në komedi ka ndryshuar.
"Të gjitha shakatë duhet të gjejnë një audiencë", tha ai, "dhe është audienca ajo që priret të ndryshojë me kalimin e kohës, ose të paktën ka ndjeshmëri të reja që vijnë në periudha të ndryshme të historisë. [Në] dekada të ndryshme, disa gjëra janë në modë dhe disa gjëra janë jashtë modës, por më pas, ajo që është në modë është se, ju bëni shaka për mënyrën se si njerëzit e shohin botën përreth tyre dhe bota përreth nesh ndryshon gjatë gjithë kohës.
Ai vazhdoi: “Nuk po flas për përshtatshmërinë e batutave apo korrektësinë në aspektin politik apo social, të batutave. Shakatë duhet të jenë për përvojën tuaj njerëzore dhe përvoja jonë njerëzore po zhvillohet”.
Pavarësisht kësaj, ai shqetësohet për të ardhmen e artit, për shkak se fjalët "duhet" dhe "nuk duhet" përdoren kaq shumë.
“Për sa i përket shijes, supozoj se jam një besimtar i madh se nuk ka asnjë temë për të cilën nuk duhet të jeni në gjendje të bëni shaka dhe mendoj se kjo është diçka për të cilën shqetësohem në botën moderne”, tha ai.
"Fjalët "duhet" dhe "nuk duhet" përdoren shumë shpesh për artet dhe gjërat krijuese dhe fjalët "duhet" dhe "nuk duhet" nuk i përkasin vërtet artit. Gjithmonë më ka pëlqyer përkufizimi i artit si refuzimi i status quo-së, kështu që çfarëdo që të kemi, puna e artit është të thotë, mbahu, pse jo këtë mënyrë tjetër për t'i parë gjërat?
Përktheu: Forca Jashari