Modelja e njohur Ashley Graham po rikthehet në qendër të vëmendjes me një mesazh të fuqishëm për përfshirjen në modë.
Në një intervistë për People, Graham, e cila ka nënshkruar partneritetin shumëvjeçar me rrjetin e dyqaneve amerikane “JCPenney”, ka thënë se gratë me forma të plota nuk janë përjashtim.
“Që nga fillimi i karrierës e deri tani, qëllimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë: të mos e bëjmë trupin temë bisede. Të flasim për madhësitë e trupit dhe çfarë e bën një trup të bukur është kaq e tejkaluar në këtë pikë. Çfarë dua me të vërtetë për gratë për të cilat kemi dizajnuar këtë koleksion të JCPenney, është që ato të ndihen të bukura, seksi, të gjitha këto ndjesi!”, ka thënë ajo.
Graham, e cila u bë e famshme pasi u shfaq në kopertinën e Sports Illustrated Swimsuit Issue në vitin 2016, ka thënë se është krenare për bashkëpunimin e ri me “JCPenney”.
“Shumica e grave amerikane veshin madhësi 14 apo më të mëdha. Pse nuk po dizajnojmë për shumicën? Ka mungesë të madhe. Është koha të lëmë pas idetë e vjetra që gratë me forma nuk e meritojnë të jenë në zemër të modës. Po sjellim përfaqësim për një komunitet që ka qenë i padukshëm për shumë kohë”, ka thënë modelja.
Por edhe rrugëtimi i saj drejt suksesit nuk ka qenë i lehtë. Në një bisedë me supermodelen Naomi Campbell në “No Filter With Naomi”, Graham ka treguar se jo të gjithë e pritën me entuziazëm suksesin e saj.
“Vitin e dytë që aplikova për Sports Illustrated, fitova dhe u kënaqa. Fotot ishin fantastike dhe mora kopërtinën. Por një modele tjetër u zemërua shumë që unë isha në kopërtinë dhe tha se isha shumë e madhe dhe se gra me trup si imi nuk duhet të jenë në kopërtinë”, ka treguar Graham.