Pikërisht kur po mendonim se Netflix është e vetmja kompani që po i largon seritë e veta të superheronjve, pasi i anuloi pothuajse të gjitha seritë e njohura të Marvel, duke përfshirë Daredevil, Jessica Jones, Punisher, Luke Cage dhe Iron Fist, edhe një tjetër hero i ekraneve të vogla do ta përfundojë luftën e vet.
CW vendosi se ishte koha që seria Arrow, e cila e lansoi një gamë të plotë të serive televizive të DC Comics, ta përfundojë historinë e vet me sezonin e ardhshëm dhe të tetë, i cili do të përbëhet prej vetëm 10 episodeve.

Në deklaratën për media producentët ekzekutivë Greg Berlanti, Marc Guggenheim dhe Beth Schwartz shkruajnë: "Ky ishte një vendim i vështirë, por si me çdo vendim tjetër të vështirë që e kemi marrë në shtatë vjetët e fundit, ishte në interesin më të mirë të të gjithëve. Na ngushëllon fakti se Arrow e nxiti një gamë të plotë të serive të cilat do të vazhdojnë në vitet e ardhshme. Jemi të ngazëllyer rreth krijimit të fundit të cilët e respektojnë serinë, personazhet dhe trashëgiminë e saj dhe u jemi mirënjohës skenaristëve, producentëve, aktorëve dhe - më e rëndësishmja - ekipit të jashtëzakonshëm i cili u kujdes për ne dhe serinë gjatë shtatë vjetëve".
Ylli i serisë, Stephen Amell, i cili ishte në rolin kryesor, e konfirmoi lajmin në Twitter duke shkruar: "Roli i Oliver Queen ishte një nga përvojat më të mëdha profesionale të jetës sime... por nuk mund të jesh përgjithmonë hero. Arrow do të kthehet me 10 episodet e fundit këtë vjeshtë. Kaq kam për të thënë... tani për tani vetëm dua t'ju falënderoj."
Serialit Arrow dhe luftës për drejtësi po i vjen fundi, por duket se pjesa tjetër e Arrowsëve - Flash, Supergirl, Legends of Tomorrow dhe seriali i ardhshëm Batwoman– do t’i vazhdojnë historitë e tyre.