Artistja e njohur Ariana Grande ka treguar se si e ka menaxhuar stresin dhe sfidat që vijnë me famën, duke theksuar rëndësinë e terapisë psikologjike për t’u kujdesur për shëndetin mendor.

31-vjeçja ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, por ajo e pranon se fama mund të jetë “thikë me dy tehe”.
“Kam qenë shume me fat që kam pasur miq dhe familjarë të jashtëzakonshëm si dhe psikologe të jashtëzakonshme. Ishte një periudhë e çmendur, gjithçka që doja ishte të këndoja dhe të vlerësohesha për punën time, por më dukej sikur sa më shumë që muzika ime bëhej e suksesshme, aq më shumë njerëz përpiqeshin të më shkatërronin”, ka thënë ajo në një intervistë për “The Hollywood Reporter”.

Grande ka thënë se beson që duhen marrë më shumë masa mbrojtëse për yjet e rinj të industrisë së argëtimit.
“Kam folur për masat mbrojtëse që mendoj se duhet të merren”, ka thënë ajo.
Kur u pyet nëse yjet e rinj duhet të kenë psikolog, ylli ka pohuar.
“Po, dhe jo vetëm kaq. Ëndërroj për një botë ku nuk do të ishte e mundur të hyje në industrinë e argëtimit pa e pasur të shkruar në kontratë, qoftë me ‘labelin’ apo me kompaninë, që do të ketë terapi me psikolog disa herë në javë dhe një sistem mbështetës”, ka thënë Grande.

Aktorja ka shtuar se të qenit pjesë e një shfaqjeje që të ndryshon jetën ose lansimin e një kënge që ndryshon jetën, të ekspozon ndaj shumë forcash, pozitive dhe negative, nuk ka një udhëzues të qartë se si duhet vepruar në këto raste.

Grande edhe më herët pati theksuar se drejtuesit e industrisë së argëtimit duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur shëndetin mendor të yjeve të rinj.
“Kur këta njerëz emërohen në role që i ndryshojnë jetën, ose kur marrin një kontratë për incizimin e disqeve, kur arrijnë atë moment, kjo duhet të jetë diçka që nuk diskutohet në kontratë. Sepse për të qenë artist, je një person i ndjeshëm dhe cenueshëm”, pati thënë aktorja në podcastin “WTF with Marc Maron”.