Premiera e filmin e ri “Unstoppable”, ku luan ylli i njohur Jennifer Lopez, u anulua të martën për shkak të zjarrit masiv që po përhapet në Los Angeles.
Qytetarët e zonës luksoze të Pacific Palisades janë larguar nga shtëpitë e tyre pas përhapjes së zjarrit.
Guvernatori i Kalifornisë shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të zjarrit, raporton Female First.
Përmes një deklarate, kompania “Amazon MGM Studios” ka njoftuar anulimin e shfaqjes premierë të filmit që do të mbahej në Teatrin “DGA”.
“Edhe pse ishim shumë të emocionuar për të festuar këtë film të mrekullueshëm dhe frymëzues me ju, siguria është prioriteti ynë kryesor. Ju inkurajojmë të shikoni ‘Unstoppable’ në Prime Video, që do të jetë në dispozicion globalisht më 16 janar. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj dhe ju lutemi, qëndroni të sigurt”, ka deklaruar kompania.
Stilistja e Lopezit, Mariel Haenn, ndau pamje të zjarrit afër shtëpisë së saj, duke u shprehur se ishte shumë shqetësuese dhe e tmerrshme.
Ajo u ka bërë thirrje miqve të saj që të kontaktonin nëse kishin nevojë për një vendstrehim.
“Zjarri në Palisades. Miq, thirrni nëse keni nevojë për një vend ku të shkoni. Jam kaq e trishtuar. Kjo është e frikshme. Kam shumë miq në Palisades. Uroj që engjëjt tanë të na mbrojnë. Shkatërrim total. Shtëpitë e miqve tanë, shkollat e fëmijëve tanë. I gjithë komuniteti ynë”, ka shkruar ajo në Instagram.
Në të njëjtën kohë, Sindikata e Aktorëve (SAG) anuloi ngjarjen e saj tradicionale për shpalljen e të nominuarve për çmime, që ishte planifikuar të transmetohej drejtpërdrejt në platformën “Netflix” më 08.01.25.
Në vend të kësaj, lista e ngushtuar e nominimeve do të shpallet në një njoftim për shtyp dhe në faqen e internetit të SAG.
“Për sigurinë e prezantuesve tanë, mysafirëve dhe stafit, shpallja live e nominimeve për çmimet SAG është anuluar për shkak të zjarreve dhe kushteve të pafavorshme të erës në Los Angeles. Nominimet do të shpallen nesër në orën 7:30 para mesditës përmes një njoftimi për shtyp dhe në faqen e internetit të çmimeve SAG. Presim të festojmë këta aktorë të mrekullueshëm dhe punën e tyre në ceremoninë e çmimeve SAG më 23 shkurt. Ndërkohë, ju inkurajojmë të qëndroni të sigurt dhe ju falënderojmë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme”, thuhet në deklaratën e organizatorëve.