Showbiz

Ani pse u shpall ngjyra e vitit, pjeshka nuk e karakterizoi ngjarjen “Golden Globes”

Autoriteti global i ngjyrave, instituti “Pantone”, ka shpallur si ngjyrë të vitit 2024 ngjyrën “peach fuzz” (pjeshkë e mjegullt).

Zakonisht pasi “Pantone” e shpall ngjyrën e vitit, ajo ngjyrë ka tendencë të jetë prezent kudo, e sidomos nëpër tepihët e kuq të ceremonive të ndryshme. Këtë vit nuk ndodhi ashtu pasi “peach fuzz” nuk e karakterizoi tepihun e kuq të ngjarjes “Golden Globes”, megjithatë pati prezencë të ngjyrës rozë që nuk është edhe fort larg asaj pjeshkë, pasi të dyja janë anëtare të familjes së ngjyrave të nxehta. Përveç rozës, prezent në tepihun e kuq ishin e kuqja, e zeza dhe e bardha.

Ngjyrën rozë e pati bërë trend aktorja e filmit “Barbie”, Margot Robbie, e cila u vesh me nga një veshje të vet kukullës së famshme në çdo paraqitje që pati në tepih të kuq. Edhe në tepihun e kuq të “Golden Globes” ajo u vesh me një fustan rozë të ndezur që vjen nga “Superstar Barbie”, një version i kukullës që brendi i lodrave “Mattel” e kishte krijuar në vitin 1977.

Image

Ngjyra roze vjen nga trëndafilat, forma e të cilëve solli trendin më të madh tepihut të kuq sivjet, trendin rozetë, i cili është mënyrë e manipulimit të materialit në formë të një trëndafili. Trëndafilat pra ishin pjesë e shumicës së veshjeve të yjeve më të famshëm të Hollywoodit.

Artistja latine, Jennifer Lopez, dukja e të cilës përherë ka ndriçuar hapësirat në të cilat ishte prezente, edhe këtë herë u radhit ndër të parat e listës së yjeve që ndriçuan më fort. Ajo kishte zgjedhur një fustan në formë sirene, mbi të cilin, përmes bërrylave të saj varej një varg rozetash të mëdha që karakterizonin një lloj pelerine dramatikisht të gjatë.

Image

Veshja tjetër që kryeson listën e të veshurave më se bukuri, qe një tjetër zë i fuqishëm i bukurisë që përfaqëson denjësisht gjigandin e markave të veshjes, Dior. Aktorja Natalie Portman, si ambasadore e këtij brendi solli në tepih të kuq një punim shumë të ndërlikuar të dorës, që vetëm mjeshtrit artizan të kësaj marke dinë ta bëjnë, mbi një fustan me formë të thjeshtë, i cili varej në krahët e Portmanit përmes bretelave shumë të holla që ishin të punuara më gurë e sedefe me ngjyrë të bardhë, e cila shkrihej në mënyrë “ombre” në mes të fustanit me pjesën tjetër të sedefeve e gurëve me ngjyra si pjeshka, vjollcë, e gjelbra, e kaltra, etj.

Image

Fustani tjetër që veshi aktorja Gillian Anderson i krijuar nga vet ajo në bashkëpunim me disenjatoren Gabriella Hearst, solli në tepih të kuq kënaqësinë përmes “G-Spotit” figurat në formë të vagjinës të qëndisura me ngjyrë të bardhë mbi materialin po ashtu të bardhë të fustanit.

Image

Arsyeja e aktores Rosamund Parks për vendosjen e një velloje me dantellë të zezë, në mënyrë që ta mbulonte një shenjë në fytyrë, të cilën ia kishte shkaktuar një aksident me ski, u cilësua përtej modës. Ajo kishte kombinuar atë vello me dukjen e saj me një fustan të gjatë deri të kyçet e këmbëve i cili ishte i punuar nga dantella e zezë në tërësi.

Image

Nam të madh brenda sallës së hotelit Beverly Hilton, në Los Angeles, la aktorja e filmit “Killers Of The Flower Moon”, Lily Gladstone. Ajo foli në gjuhën indiane autoktone amerikane për ta pranuar çmimin si aktorja më e mirë.

Image
Image

Një skenë si kjo rikthen mendjen në afro pesë dekada më parë kur në marsin e vitit 1973 aktori legjendar Marlon Brando kishte refuzuar çmimin e “Akademisë së Filmit” si aktori më i mirë për rolin e tij në filmin “The God Father”. Në vend të Brandos, në skenë për ta pranuar çmimin kishte dalë indiania autoktone amerikane, aktorja dhe aktivistja Sacheen Littlefeather, e cila lexoi letrën e shkruar nga Brando ku sqaron arsyen e bojkotit. “Marlon Brando me keqardhje nuk e pranon këtë çmim në shenjë proteste ndaj shtetit Amerikan për trajtimin që ua bën indianëve autokton amerikan”, shkruhej në letër.

Filmi që theu pothuajse të gjitha arkat filmike në mbare botën, “Barbie”, me regji të Greta Gerwig, pati nëntë nominime dhe fitoi dy çmime. Billi Eilish ishte këngëtarja fituese e kolonës zanore të këtij filmi që u shpall si më e mira me këngën “What Was I Made For”, konkurrente e të cilës ishte edhe kolona zanore tjetër nga po i njëjti film, "Just Dance", këngë e kënduar nga shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa. Kukullat “Barbie” si Dua e Billi, konkurrent e patën Kenin, i cili ani pse nuk e fitoi çmimin, mjaftohej duke qenë vetëm Keni mbështetësi i Barbies atë natë.

Image


Filmi që shpërfaqi jetën dhe veprën e krijuesit të bombës atomike, Robert Oppenheimer, roli i të cilit u portretizua nga Cillian Murphy, që u shpall aktori më i mirë, "Oppenheimer" nga regjisori Christofer Nolan, mori më së shumti çmime dhe u cilësua lart nga kritikët e filmit me çmimin “Golden Globe” si filmi më i mirë.

Image