Angelina Jolie, Salma Hayek dhe Richard Madden u prezantuan zyrtarisht në mesin e aktorëve të blockbusterit të ardhshëm të superheronjëve të Mavel Studios "The Eternals" në "Comic-Con International" të shtunën.
Angelina dhe Salma ishin përmendur në lidhje me përshtatjen filmike të stripit të Jack Kirbyt, i cili përmban karaktere të lashta njerëzore të krijuar miliona vjet më parë nga alienët, ndërsa dy aktoret dhe Brit Richard u shpallën zyrtarisht si anëtarë të ekipit, së bashku me Brian Tyree Henri, Kumail Nanjiani, Lauren Ridloff dhe Don Lee dhe atë në ngjarjen e Marvelit të organizuar si pjesë e konventës së fansave në San Diego, California.
Salma e quajti filmin, i cili do të bëhet me regji të regjisores kineze Chloe Zhao, një hap të guximshëm përpara për diversitetin në zhanrin e superheronjëve, shkruan KOHA Ditore.
"Ky film do t'u mundësojë atyre që nuk janë ndjerë të përfaqësuar në filma, në këtë rast superheronjëve, që të jenë të përfaqësuar. E dua familjen time të larmishme," tha ajo, sipas The Hollywood Reporter.
Aktorja spanjolle do ta luajë Ajak, një personazh ky që mund ta manipulojë përbërjen e saj qelizore, duke i dhënë superforcë dhe fuqi shëruese, ndërsa Angelina do ta ekranizojë personazhen Thena, heroinën me forcë, shpejtësi, qëndrueshmëri, gatishmëri dhe reflekse mbinjerëzore. Ish ylli i “Game of Thrones”, Richard, do ta luajë Ikaris, heroin e lashtë grek me aftësi të veçanta mendore.
“The Eternals” planifikohet të shfaqet në nëntor të vitit 2020.