Studioja e njohur e filmave Amazon MGM do të krijojë një sipërmarrje të re të përbashkët me producentët Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli për të menaxhuar të drejtat autoriale për filmat e njohur “James Bond”.
Daniel Craig ka shprehur vlerësimin e tij për producentët Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli, pasi u njoftua se ata i kanë dorëzuar kontrollin e franshizës “James Bond” studios Amazon MGM.
“Respekti, admirimi dhe dashuria ime për Barbarën dhe Michaelin mbeten të pandryshuara dhe të palëkundura. I uroj Michaelit një pension të gjatë, të qetë dhe të merituar, ndërsa për gjithçka që Barbara vendos të bëjë në të ardhmen, e di që do të jetë spektakolare dhe shpresoj të jem pjesë e saj”, ka thënë Craig në një deklaratë për The Hollywood Reporter (THR).
Craig është aktori i fundit që ka interpretuar spiunin e famshëm britanik, duke luajtur në pesë filma të sagës: “Casino Royale” (2006), “Quantum of Solace” (2008), “Skyfall” (2012), “Spectre” (2015) dhe “No Time to Die” (2021).
Sipas THR, Amazon MGM Studios do të krijojë një sipërmarrje të re për të menaxhuar të drejtat e autoriale për “James Bond”. Në bazë të marrëveshjes së re, studioja do të ketë kontrollin e franshizës, ndërsa Wilson dhe Broccoli do të mbeten bashkëpronarë të tij.
Amazon ka blerë MGM-në në vitin 2022 dhe që atëherë ka pasur të drejtat për shpërndarjen e filmave të “James Bond”.
Producenti 83-vjeçar Michael G. Wilson njoftoi se do të tërhiqet nga prodhimi i filmave për t’u fokusuar te arti dhe filantropia. Ai dhe Barbara Broccoli kanë qenë drejtuesit kreativë të filmave të Bondit që nga koha kur trashëguan të drejtat autoriale nga babai i tyre, producenti legjendar Albert “Cubby” Broccoli.
Broccoli ka qenë i përfshirë në të drejtat autoriale të filmit që nga filmi i parë, “Dr. No” (1962), me aktorin Sean Connery në rolin e James Bondit.
“Me përfundimin e ‘No Time to Die’ dhe largimin e Michaelit nga prodhimi i filmave, mendoj se ka ardhur koha të përqendrohem në projekte të tjera”, ka thënë Broccoli.
THR ka shkruar se sytë e adhuruesve të filmit janë drejtuar kah Amazon MGM Studios, duke pritur për të parë se cilat do të jenë lëvizjet e tyre të ardhshme, përfshirë zgjedhjen e aktorit të ri që do të vishet me kostum dhe do të pijë një martini si agjenti legjendar 007.