Aktorja Amanda Bynes ka thënë se po përgatitet për një rikthim në industrinë e showbizt, duke zbuluar se është duke punuar në një skenar, megjithëse nuk ka dhënë shumë detaje mbi projektin e saj të ri.
Aktorja 38-vjeçare u bë e famshme që në fëmijëri përmes televizionit Nickelodeon, përpara se të hynte në Hollywood. Megjithatë, pas disa sfidave personale, ajo hoqi dorë nga aktrimi në vitin 2010. Tani, Female First ka shkruar se duket se një rikthim është në horizont.
Të dielën (30 mars 2025), ajo ka shkruar në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram se është duke përgatitur një skenar.
“Po shkruaj një skenar me @dylan.hhn!”, ka shkruar aktorja.
Ylli i filmit “Hairspray” nuk ka dhënë më shumë informacione rreth kësaj.
Por, në një video që ka postuar, Bynes shihen disa libra dhe fletë të shpërndara pranë laptopit të saj të hapur, duke konfirmuar se po punon për diçka të re.
Ajo u shfaq për herë të fundit në ekran në vitin 2010 në komedinë romantike “Easy A”. Pas largimit nga aktrimi, ajo u fokusua në botën e modës, duke diplomuar në Fashion Institute of Design and Merchandising në vitin 2018. Më vonë, në vitin 2022, ajo filloi të studionte rreth kozmetikës.
Në dhjetor të vitit 2023, ajo nisi një podcast personal, por e ndali pas vetëm një episodi për t’u përqendruar në ndërtimin e një karriere më të qëndrueshme.
“Episodi i parë i podcast-it tim pati një pritje shumë të mirë. Mbeta e befasuar dhe natyrisht që doja të vazhdoja, sidomos pasi miqtë më inkurajuan. Megjithatë, pasi e mendova, preferoj të marr licencën e manikyristes dhe të kem një punë të qëndrueshme. Do ta ndjek këtë rrugë në vend të podcastit. Faleminderit që po më ndiqni në këtë rrugëtim!”, pati shkruar aktorja.
Pavarësisht vendimit për të mos vazhduar me podcastin, Female First gjithashtu ka shkruar se yllit të filmit “She’s the Man” duket se po i rikthehet fama. Së fundmi, ajo ka ndarë me ndjekësit e saj një analizë të performancës së profilit të saj në Instagram, duke treguar një rritje të ndjeshme të ndjekësve dhe ndërveprimit me përmbajtjen e saj.
Bynes ka afërsisht 600,000 ndjekës në platformë, por thuhet se 60 për qind e shikimeve të përmbajtjes së saj vijnë nga përdorues që nuk e ndjekin ende.
Videoja e saj më e suksesshme është një ku ajo shfaq një set të ri thonjsh me ngjyrë të kaltër, e cila ka arritur 4.5 milionë shikime, ndërsa statistikat kanë treguar se profili i saj ka pasur 14 milionë vizita që nga muaji tetor në muajin nëntor të vitit 2024, duke pesëfishuar audiencën e saj.