Showbiz

Alec Baldwin flet për pendimin më të madh rreth divorcit me Kim Basingerin

Alec Baldwin dhe Kim Basinger

Alec Baldwin dhe Kim Basinger

Foto: Associated Press

Alec Baldwin ka pranuar se ndien keqardhje për ndikimin negativ që shkurorëzimi nga Kim Basingeri pati te vajza e tyre, Ireland Baldwin. 

66-vjeçi ka thënë se tani synon të ruajë një marrëdhënie të mirë me familjen e tij.

Baldwin dhe Basinger, të dy yje të Hollywoodit, u ndanë në vitin 2002, pas pothuajse një dekade martesë. Ai e përshkroi periudhën si përvojë “të vështirë dhe të lodhshme”, veçanërisht për shkak të betejës së gjatë për kujdestarinë e Irelandit.

“Marrëdhënia ime me vajzën time u ndikua shumë negativisht nga divorci me nënën e saj. Beteja për kujdestarinë zgjati shtatë vjet dhe mediat e kthyen gjithçka në një spektakël. Ishte një çmenduri e vërtetë dhe diçka shumë e vështirë për mua”, ka thënë aktori në episodin e ri të reality showt të tij, “The Baldwins”, ka raportuar FemaleFirst.

Ai ka shtuar se një nga pendesat më të mëdha të tij është ndikimi që ky proces pati te Ireland, e cila sot është 29 vjeç.

Sot, Baldwin është i martuar me Hilaria Hayward-Thomas, 41 vjeçare, me të cilën ka shtatë fëmijë: Carmen 11 vjeç, Rafael 9 vjeç, Leonardo 8 vjeç, Romeo 6 vjeç, binjakët Edu dhe Maria 4 vjeç dhe Ilaria 2 vjeç.

Ai ka shpjeguar se marrëdhënia mes Irelandit dhe motrave e vëllezërve të saj është shumë e mirë, por gjithsesi ajo është në një fazë tjetër të jetës së saj.

“Ajo i do shumë fëmijët dhe është shumë e ëmbël me ta, por nuk është pjesë e grupit të tyre të ngushtë. Kjo është arsyeja pse dua të kem një marrëdhënie të fortë me Carmen, sepse po përjetoj të qenit baba i një vajze sërish nga fillimi”, ka thënë Baldwin.

Komentet e Baldwinit vijnë vetëm pak ditë pasi Kim Basinger deklaroi se ajo dhe ish-bashkëshorti ruajnë marrëdhënie të mirë, më shumë se 20 vjet pas divorcit.

“Unë dhe Alec kemi një marrëdhënie shumë të mirë. E respektoj për atë që është sot dhe për familjen e tij. Nuk i kalojmë bashkë festat dhe nuk takohemi shpesh, por flasim herë pas here”, ka thënë aktorja në një intervistë për Variety.

Ajo ka shtuar se ai e telefonon dhe kane marrëdhënie vërtet të sinqertë dhe të përzemërt.

“Sepse, në fund të fundit, kemi një vajzë dhe nuk i uroj asgjë tjetër përveç të mirave”, ka thënë Basinger.