Showbiz

Alanis Morissete e pakënaqur me dokumentarin mbi jetën e saj, “Jagged”

Foto: AP/Associated Press

Sipas gazetës “The Los Angeles Times”, Alanis Morissette, ka vendosur të distancohet nga dokumentari i ardhshëm i kanalit HBO, “Jagged”, i cili premierën botërore e pati të martën në Festivalin e Filmit në Toronto, duke shpjeguar që realizatorët e këtij projekti e kishin mashtruar atë dhe se “agjenda e tyre e ndyrë” u bë e qartë kur ajo e pa një version të hershëm të dokumentarit.

Morissette thotë se filmi është realizuar gjatë një kohe të prekshme në jetën e saj, kur po përballej me depresionin pas lindjes së fëmijës së tretë dhe bota sapo kishte hyrë në karantinë shkaku i COVID-19. Sipas këngëtares, dokumentari përmban implikime dhe fakte të cilat thjeshtë nuk janë të vërteta.

Ajo gjithashtu thotë se ka gjëra të bukura dhe disa elemente të sakta në këtë projekt, por ajo përfundimisht ka vendosur të mos e mbështesë mendimin e dikujt tjetër mbi historinë e jetës së saj, që është shumë unike dhe e larmishme për t’u kuptuar apo rrëfyer nga personat që gjendet prapa realizimit të dokumentarit.

“Jagged” vjen i realizuar nga regjisorja e shpërblyer, Alison Klayman, dhe derisa nuk është e qartë se cilat pjesë në film po i kundërshton këngëtarja e famshme, bëhet e ditur se e përditshmja “The Washington Post” së fundmi ka raportuar që dokumentari, përmban akuza nga Morissette për abuzimin seksual që e pësoi si adoleshente. Sipas këtij shkrimi bëhet e ditur se Morissette nuk jep shumë hollësi rreth kësaj ngjarje të vështirë në jetën e saj, por thotë se i janë dashur t’i kalojë disa vjet në terapi për ta kuptuar se ka qenë viktimë e abuzimit seksual. Këngëtarja po ashtu ka treguar se kishte provuar t’iu tregojë disa personave në industrinë e muzikës për eksperiencën e saj të hidhur, por ka hasur në vesh të shurdhër dhe nuk ka gjetur ndihmën apo përkrahjen e duhur.

Përfundimisht, Alanis Morissette nuk do të ndihmojë në promovimin e dokumentarit “Jagged”, dhe insiston që ai nuk është reflektim i vërtetë i jetës apo historisë së saj.

Viti 2020 ka qenë i ngarkuar me angazhime për rok artisten e shpërblyer me çmim “Grammy”. Ajo e festoi 25 vjetorin e albumin e të saj që theu rekorde, “Jagged Little Pill”, dhe një version muzikor i këtij incizimi debutoi në skenën e Broadëayit. Morissette po ashtu ka punuar vazhdimisht në studio incizuese rreth realizimit të albumit të saj të nëntë, “Such Pretty Forks in the Road”, i cili u lansua në korrik të vitit të kaluar. Ky është albumi i saj i parë në tetë vjetët e fundit, dhe fillimisht ishte planifikuar të lansohej në muajin prill por ishte shtyrë për disa muaj shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Alanis Morissette gjithashtu kishte planifikuar ta mbajë një turne i cili e shënonte përvjetorin e lansimit të albumit të suksesshëm të vitit 1995, por u detyrua ta shtyjë atë për shkak të krizës shëndetësore globale.

Morissette e cila është nga Ontario e Kanadasë, kishte filluar të merret me muzikë qysh në moshën 10-vjeçare. Si tinejxhere, pas një karriere në zhanrin e muzikës pop ajo u shpërngul në Los Angeles, ku edhe e pati bashkëshkruar albumin “Jagged Little Pill”. Atëkohë asnjë shtëpi diskografike nuk kishte pranuar të nënshkruajë kontratë me të, përveç kompanisë së këngëtares Madonna, “Maverick”.

Nga ai moment, karriera e këngëtares dhe kantautores së njohur mori rrugë drejt sukseseve të jashtëzakonshme, duke e shndërruar atë në një prej artisteve më të vlerësuara të asaj kohe.