Showbiz

Aktorja e pranon se donte të vdiste

Ylli i serisë së mega-popullarizuar “Game of Thrones”, 32-vjeçarja Emilia Clarke, në një rrëfim shokues zbuloi se në një moment donte të bënte eutanazi. Aktorja, e njohur për rolin e saj si Daenerys Targaryen, e ka mbijetuar gjakderdhjen në tru në vitin 2010. Edhe pse parashikimet për shumicën e rasteve të tilla nuk janë optimiste, ajo filloi të rikuperohej ndërsa në vitin 2013 ndodhi një gjakderdhje e re e cila zbuloi se për tre vjet ajo kishte jetuar me aneurizëm në tru.

Përmes një ndërhyrje mjekësore urgjente asaj iu shpëtua jeta, por problemeve të saj nuk u erdhi fundi. Operacioni invaziv solli probleme të reja për aktoren e talentuar. Fatkeqësisht për të, edhe pse e mbijetoi operacionin e rrezikshëm, ajo mësoi se ka afazion ose paaftësi për t’i formuluar fjalitë në mënyrë të duhur, dhe për t’i kontrolluar fjalët që i shqipton. Pasoja ishte se nuk mundi ta mbante mend emrin e saj.

"Në momentet më të këqija, doja që mjekët të më shkyçin nga aparatet. U kërkova të më lejonin të vdisja. Puna ime, e gjithë ëndrra ime për jetën time, bazohet në gjuhë, në komunikim. Pa atë, unë jam e humbur", shkroi Clarke për The New Yorker. Afazioni i saj kaloi pas një jave, por para saj ishte një proces i gjatë dhe i lodhshëm i rehabilitimit, shkruan KOHA Ditore

Pas disa viteve të rikuperimit të suksesshëm, Emilia e bukur e krijoi një organizatë bamirëse të emërtuar “SameYou”, e fokusuar në ndihmën dhe mbështetjen e të rinjve që e kanë përjetuar një fat të ngjashëm. "E di nga përvoja personale se dëmtimi i trurit është shkatërrues. Shërimi është i gjatë dhe rehabilitimi nuk është i disponueshëm për të gjithë. Kjo mund të jetë një sëmundje e padukshme, por edhe një temë që shpesh është tabu. Duhet t’i ndihmojmë të rinjtë me rikuperim dhe t'ua mundësojmë atyre që të hapen pa stigmë ose turp", konkludoi aktorja.

T’ju rikujtojmë, Clarke në gusht të vitit të kaluar e pranoi se çfarë e irriton tek fansat e saj. Kjo bukuroshe nuk e duron kur fansat e thërrasin me emrin e karakterit që ajo e interpreton, dhe kur janë të pasjellshëm kur kërkojnë të fotografohen me të. “Sikur dikush të më afrohet në një mënyrë të sjellshme dhe t’i përdorë fjalët 'të lutem', do të pranoja pa asnjë problem”, tha ajo në një rast. Me këtë rast, ajo gjithashtu e zbuloi preferencën e saj për një qasje të modës së vjetër. "Sa herë që dikush më kërkon autograf, unë ia shkruaj edhe përkushtimin vetëm për shkak se kjo është një gjë e rrallë sot", shpjegoi aktorja se si duhet t’i afrohen njerëzit.