Aktori i njohur, Sebastian Stan luan rolin e ish-presidentit të SHBA-së dhe biznesmenit, Donald Trump në moshë të re në filmin e ri “The Apprentice”.
Në këtë film luajnë edhe aktorë të tjerë si Jeremy Strong, i cili luan rolin e avokatit të Trumpit, Roy Cohn, dhe Maria Bakalova si Ivana Trump.
Për të përgatitur rolin e tij, Stan studioi jetën e hershme të Trumpit, duke u përqendruar në tregimin e historisë pa paragjykime.
“Mendoj se instinkti dhe bashkëpunimi janë thelbësore”, ka thënë Stan në një intervistë për CNN. “Duhet të hyni dhe të shihni se çka shërben rrëfimi, karakterin, pa paragjykime, për të mirë, të keqen e të shëmtuarën”.
Ai theksoi rëndësinë e shkëputjes nga zhurma që e rrethon Trumpin sot për të dhënë një performancë të fortë.
Strong përshkroi qasjen e tij ndaj Cohnit si një lloj obsesioni, duke studiuar pamje për të parë karakterin kompleks të Cohnit.
“Detyra ime është t’i kuptoj këta njerëz plotësisht,” ka shpjeguar ai.
Filmi ka hasur në polemika, me ekipin e Trumpit që kërcënon me veprime ligjore.
Regjisori Ali Abbasi përmendi se sfida më e madhe ishte organizimi apo renditja e historisë, por vendosi të përqendrohet në marrëdhënien mes Trumpit dhe Cohnit.
Filmi “The Apprentice” tani është duke u shfaqur nëpër kinema, duke ofruar tjetër këndvështrim në këtë moment të rëndësishëm të historisë amerikane.