Showbiz

A$AP Rocky vlerësohet për stil të veshjes, por Rihanna kujdeset për dukjen e fëmijëve

A$AP Rocky dhe Rihanna

A$AP Rocky dhe Rihanna

Reperi i njohur, A$AP Rocky, i cili vlerësohet për stilin e veshjes nga kritikët e modës, ka thënë se nuk merret me veshjen e djemve të tij të vegjël, RZA dhe Riot, duke thënë se kjo është përgjegjësi vetëm e të dashurës së tij, yllit Rihanna.

“Ajo është nëna e tyre. Unë nuk jap asnjë kontribut kur vishen djemtë e mi”, ka thënë ai në një intervistë për revistën “People”. 

Reperi ka shtuar se ndonjëherë Rihanna i vesh fëmijët në mënyrë të ngjashme me stilin e tij, por gjithçka është merita e saj për stilin dhe shijen.

Sa i përket stilit personal, Rocky e përshkruan si “luks të heshtur”, një ndryshim nga periudha kur vishte veshje të tepruara dhe të pasinkronizuara.

“Nëse do të mund ta përkufizoja stilin tim si baba, do të thosha se është shumë më i rafinuar. Para kësaj periudhe, ishte vërtet si veshje absurde, duke përzier gjithçka. Por tani mendoj se është pak më shumë si ‘luks i heshtur’”, ka shpjeguar ai.

Rocky shpreson që djemtë e tij të trashëgojnë të njëjtin “origjinalitet dhe vetëbesim” që ai ka.

“Shpresoj që ata të marrin origjinalitetin dhe vetëbesimin që kam. Është në gjakun e tyre, pa asnjë shaka”, ka shtuar reperi.

Në ceremoninë e Footwear News Achievement Awards 2024, Rocky mori çmimin për “Bashkëpunimin e Vitit” për punën që kishte bërë në bashkëpunim me markën e veshjeve sportive “Puma”.

Ai gjithashtu e shpjegoi filozofinë e tij në modë, duke thënë se shijen e ka krijuar me kalimin e kohës.
“Shijen e kam të përpunuar, prandaj nuk e pres që të gjithë ta kuptojnë. Është një lloj narrative e njerëzve që e jetojnë jetën në atë mënyrë”, ka thënë ai.