Avokatët e reperit A$AP Rockyt, në rastin ku ai akuzohet se ka se ka gjuajtur me armë ish-shokun e tij, Terell Ephron, kanë ngritur shqetësime për procesin e përzgjedhjes së jurisë, siç kanë thënë, veçanërisht për numrin e ulët të anëtarëve afro-amerikanë.
Agjencia e lajmeve Associated Press ka shkruar se avokatët e Rockyt kanë ngritën shqetësimin se në grupin e anëtareve të mundshëm të jurisë, edhe pse vinë nga një zonë ku 9% e popullsisë është afro-amerikane, vetëm më pak se 5% e të ftuarve për anëtarë të jurisë janë me ngjyrë.
Ata kanë paralajmëruar se mund të mos ketë asnjë anëtar afro-amerikan në jurinë e gjyqit.
“Ne jemi në qendër të Los Angelesit, jo në një qytet të vogël në Montana”, ka thënë Joe Tacopina, një nga avokatët e Rockyt.
Gjithashtu, kleriku i njohur Al Sharpton ka kritikuar këtë pasqyrë të jurisë në gjyq dhe e ka quajtur “krejtësisht të paarsyeshme” që juria të mos jetë e drejtë dhe përfaqësuese, duke shtuar se ai po e monitoron procesin dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë së Qarkut të Los Angelesit që të sigurojë një gjykim të drejtë për A$AP Rockyn.
Gjyqtari ka refuzuar kërkesën për ta pezulluar gjyqin për të shqyrtuar ankesën e mbrojtjes.
Në anën tjetër, prokurorët janë përqendruar në pyetjet për qëndrimin e anëtareve të jurisë ndaj policisë dhe të famshmëve.
Gjatë pyetjeve, prokurori John Lewin, e ka pyetur se sa prej anëtareve të jurisë ishin fansa të këngëtares Rihanna, partneres së Rockyt dhe nënës së dy fëmijëve të tij.
Katër prej tyre kanë thënë se ishin.
Ai gjithashtu ka pyetur nëse anëtarët e jurisë mendonin se një dënim ndaj Rockyt, për dy akuza të rënda për sulm me armë, mund të ndikonte tek Rihanna.
“Tani që ma përmendët, po, do të kishte ndikim tek ajo”, ka thënë një pjesëtare e jurisë.
Rihanna nuk ishte e pranishme në gjyq, por nëna dhe motra e Rockyt, po.
Gjyqi është në fazën e përzgjedhjes së jurisë dhe, për momentin, ka rreth njëqind anëtarë të mundshëm të jurisë.
Procesi do të vazhdojë dhe pritet që gjykimi të zgjasë rreth dy javë.
A$AP Rocky, i cili është liruar me kusht, ka refuzuar një marrëveshje që i ofronte 180 ditë burg dhe ka hedhur poshtë akuzat.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me vite të tëra burgim.
A$AP Rocky është emëruar si një nga nikoqirët kryesorë në ngjarjen më të madhe të modës që do të mbahet të hënën e parë të muajit maj në Muzeun Metrolopotian të Artit në New York, Met Gala.
Reperi gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në një film të drejtuar nga regjisori Spike Lee, me aktorin e njohur Denzel Washington, që pritet të shfaqet së shpejti.
Por, ai mund të përballet me pasoja të rënda nëse shpallet fajtor për të shtëna me armë ndaj shokut të tij të fëmijërisë, i cili dëshmoi se marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar dhe një përplasje arriti kulmin në natën e 6 nëntorit të vitit 2021.
Ephron pati treguar se plumbat ia kishin prekur lehtë gishtin.