Avokati i njohur nga New Yorku, Joe Tacopina, ka zbuluar se reperi A$AP Rocky dhe partnerja e tij, këngëtarja Rihanna i kanë premtuar se do t'ia vënë emrin e tij fëmijës së tyre të ardhshëm.
Këtë deklaratë ai e ka bërë pasi reperi u shpall i pafajshëm në gjyqin ku akuzohej për të shtëna me armë.
Pas fitores në gjykatë, avokati ndau me publikun mënyrën unike se si reperi dhe partnerja e tij kanë vendosur ta nderojnë.
“Rihanna dhe Rocky më thanë dje në gjykatë, më kapën dhe më thanë: ‘Dëgjo, fëmija ynë i ardhshëm do të quhet A$AP Joe’”, ka treguar Tacopina në një intervistë për Extra.
Çifti, i cili tashmë ka dy djem, RZA dhe Riot, duket se ka lidhje të veçantë me avokatin që e ndihmoi Rockyn të fitojë lirinë.
58-vjeçari gjithashtu ka folur për momentin emocionues, tashmë viral, kur Rocky u hodh mbi Rihannën për një përqafim të fuqishëm pas vendimit të gjykatës.
“Shikova në të djathtën time, dhe ai nuk ishte aty. Nuk e dija ku ishte. Thjesht u zhduk. Pastaj e pashë mbi Rihannën... nuk mund ta kuptoja si ndodhi aq shpejt”, ka thënë ai.
Tacopina gjithashtu ka shprehur respektin që ka për Rockyn, emri i vërtetë i të cilit është Rakim Athelaston Mayers, dhe ka treguar për momentin prekës kur reperi i shprehu mirënjohjen para vendimit të gjykatës.
“Ai nuk e dinte nëse atë natë do të shkonte në shtëpi për të parë dy fëmijët e tij apo do të niste vujatjen e një dënimi dhjetëvjeçar në burg. Më shikoi, më kapi dhe më tha: ‘Joe, dua të dish që e vlerësoj çdo përpjekje që ke bërë. E di sa shumë je përpjekur dhe të jam pafundësisht mirënjohës… jemi në këtë bashkë, pavarësisht se çfarë ndodh. Të dua’”, ka treguar tutje avokati.