Ka mbetur vetëm edhe një vit që të mbushet plot një dekadë që kur Rihanna publikoi për herë të fundit një album.
Këngëtarja e famshme amerikane, me prejardhje nga ishulli Barbados, ka postuar të martën një video në llogarinë e saj në Instagram, përmes së cilës ajo feston 9-vjetorin e albumit të saj “Anti” i vlerësuar lartë nga kritikët.
Për të shënuar këtë rast, ajo ka shpërndarë një montazh të videove muzikore dhe performancave nga epoka e saj e vitit 2016, raporton Billboard.
"Gëzuar ANTIvjetorin", ka shkruar pronarja e markës së famshme “Fenty”.
Me hitet "Work", "Kiss It Better" dhe "Love on the Brain", albumi “Anti” kishte kaluar dy javë në vendin e parë në Billboard 200 dhe që atëherë kishte qëndruar në tabelë për 456 javë.
Këngëtarja 36-vjeçare, e njohur shkurtimisht edhe si Riri, ka shfaqur zërin e saj më pas vetëm në disa bashkëpunime sporadike dhe disa këngë, duke përfshirë ato “Born Again” dhe “Lift Me Up” për kolonën zanore të Black Panther: “Wakanda Forever”.
Artistja gjatë gjithë viteve të fundit ka qëndruar e fokusuar kryesisht në ndërtimin e perandorisë së saj “Fenty”, e cila i ka sjellë përpërfitime të shumta financiare.
Në vitin 2021, “Forbes” e ka shpallur atë miliardere. “Forbes” ka raportuar se fituesja e Grammyt ka rreth 1.7 miliardë dollarë pasuri, teksa pjesa më e madhe e kësaj vlere vjen nga “Fenty”.
Megjithatë, ajo i ka mbajtur fansat e saj me shpresa se është duke sjellë diçka të re. Në prill të vitit të kaluar, Rihanna ka thënë për “Interview” se kishte "shumë ide vizuale" për albumin e saj të nëntë në studio, por jo këngët për t'i mbështetur ato, duke shtuar se "ndoshta idetë vizuale po më çojnë tek këngët që duhet të bëj”
Rihanna është nënë e dy fëmijëve me të dashurin e saj Asap Rocky: djemtë RZA 2 vjeç dhe Riot 1 vjeç.