Justin Timberlake parashihet të bëjë një deklaratë të re të premten në çështjen e drejtimit të veturës në gjendje të dehur në Hamptons të New Yorkut, thanë prokurorët.
Detajet e pranimit nuk u zbuluan, por një person me njohuri për marrëveshjen tha për Associated Press se Timberlake është pajtuar ta pranojë fajin për një vepër më pak të rëndë se akuza fillestare, për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur.
Këngëtari i njohur amerikan do të paraqitet personalisht të premten në Gjykatën e Sag Harbor për të bërë një marrëveshje, konfirmoi të mërkurën zyra e Prokurorit të Qarkut Suffolk.
Timberlake u arrestua në fshatin Sag Harbor, në skajin lindor të Long Island, më 18 qershor, pasi policia tha se ai kishte dalë nga korsia e tij gjatë vozitjes, derisa pas ndalesës nga policia ai kishte dalë nga BMW-ja e tij me erë alkooli.
43-vjeçari nga Tenesi u deklarua i pafajshëm për kundërvajtjen se e ka drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Në një seancë dëgjimore muajin e kaluar, një gjykatës pezulloi të drejtën e Timberlake për të vozitur në New York.
Avokati i tij, Burke, ka pohuar se Timberlake nuk ishte i dehur dhe se çështja duhet të anulohet.
Sipas policisë, Timberlake i ka thënë oficerit se kishte pirë martini dhe po i përcillte disa miq në shtëpi.
Ai u arrestua dhe e kaloi natën në paraburgim.
Fitues i dhjetë çmimeve “Grammy”, Timberlake filloi të performojë si një i ri i Disney Mouseketer, u bë i famshëm si pjesë e grupit të djemve “NSYNC” dhe filloi një karrierë solo në fillim të viteve 2000.