Showbiz

Lamari i përgjigjet Draket me “diss” në përshkallëzimin e përplasjeve

Drake - Lamar

Reperi i njohur amerikan, Kendrick Lamar, ka publikuar një këngë të re kundër reperit Drake. “Euphoria” është kënga e fundit në përplasjen e gjatë të dy yjeve të mëdha të hip-hopit, që ka përshkallëzuar sivjet dhe është kthyer në një nga “betejat” më të famshme të repit.

Kënga mban titullin e serisë së HBO-së në të cilin Drake shërben si producent ekzekutiv. Ajo u publikua në kanalin e Lamarit në YouTube.

Për 6 minuta, Lamari e ka quajtur Draken “gënjeshtar e manipulator” para se t’ia sulmojë edhe rrënjët kanadeze.

Përplasja e dyshes ka rrënjët më 2013, kur Lamari – që sapo kishte bërë bujë në skenë, u paraqit në këngën “Control” të Big Seanit për të siguruar dominimin. Më vonë atë vit, ai u përplas me Draken, duke e quajtur “reper sensitiv” në një performancë në BET Awards.

Në mars sivjet, përplasja u rikthye kur Lamari u paraqit në këngën e Future dhe Metro Boomin “Like That”. Aty ai iu përgjigj këngës së vitit 2023 të titulluar “First Person Shooter” të Draket dhe J Cole, ku dy artistët e quanin veten, krahas Lamarit, “treshen e madhe” të hip-hopit.

Duke iu përgjigjur në “Like That”, Lamar ka thënë se nuk janë tre, por vetëm një.

Ishte Drake ai që publikoi dy nga dissat e parë - “Push Ups”, kënga që përqesh trupin e Lamarit dhe më pas “Taylor Made Freestyle” në të cilën përmes inteligjencës artificiale imitoi zërat e Snoop Doggut dhe Tupac Shakurit duke kritikuar Lamarin. Drake më pas e ka fshirë këngën.

Në “Euophoria”, Lamari iu përgjigjet dy këngëve. 

Përplasja e dy reperëve ka nxitur edhe reagime të të tjerëve përgjatë dy muajve të fundit, përfshirë Weeknd e Kanye West, që kanë përmendur betejën në këngë të tyre.