Këngëtarja e muzikës R&B, Cassandra Ventura e njohur si Cassie, ka paditur Sean "Diddy" Combs në gjykatën federale të enjten, duke akuzuar për dhunim, reperin të cilin dikur e kishte partner dhe kishte kontratë me kompaninë e tij muzikore, raporton Reuters.
Padia përmban një sërë akuzash për dhunim dhe abuzim fizik, skllavëri seksuale dhe përdhunim.
Një nga akuzat qendrore kundër Combs nga Ventura ishte se ai e detyroi atë të kryente akte seksuale me një sërë meshkujsh të cilët ai i pagoi, ndërsa shikonte dhe filmonte skenat për kënaqësinë e tij.
Në padinë e ngritur në gjykatën e Manhattanit, SHBA, Combs akuzohet gjithashtu për rrahjen e rregullt të Venturas gjatë një marrëdhënieje profesionale dhe romantike 10-vjeçare në të cilën ai e kontrollonte atë nëpërmjet frikësimit, drogimit dhe dhënies së alkoolit.

37 vjeçja, Ventura, gjithashtu pretendon se ai e kishte përdhunuar në fund të marrëdhënies së tyre në vitin 2018 kur ajo i tha se do ta linte.
Avokati i Combs, Ben Brafman, lëshoi një deklaratë duke thënë se klienti i tij “i mohon me forcë këto akuza fyese dhe skandaloze”.
Brafman tha se Ventura ka ngritur një padi "të mbushur me gënjeshtra të pabaza dhe skandaloze", siç ka thënë, pas një përpjekjeje të dështuar për të shantazhuar Combsin për t'i paguar asaj 30 milionë dollarë duke kërcënuar se do të shkruante një libër dëmtues për marrëdhënien e tyre.
Combs, 54 vjeç, themeluesi i kompanisë muzikore historike “Bad Boy Records”, është një nga prodhuesit dhe ekzekutivët më me ndikim në muzikën hip-hop, si dhe drejtor i linjës së tij të veshjeve Sean John.