Showbiz

Selena Gomez ndihet me fat që është gjallë

Pas sfidave të shumta me shëndetin e saj, këngëtarja dhe aktorja Selena Gomez thotë se ndihet me fat që është gjallë.

Ylli 30-vjeçar i muzikës ka folur hapur për betejat disa vjeçare me shëndetin, në dokumentarin e ri “My Mind and Me”, ku edhe e pranoi se tani ndihet e kënaqur me jetën e saj.

Në një klip të shkëputur nga ky projekt, Gomez, e cila për një kohë të gjatë është ballafaquar me ankthin dhe depresionin, shpjegoi: “Thjeshtë bëhu vetvetja Selena. Mos u brengos për atë që e bënë. Rëndësi ka personi që jam dhe të jem e kënaqur me jetën. Jam falënderuese që jam gjallë”.

Selena, e cila iu nënshtrua transplantimit të veshkës në vitin 2017, pasi u diagnostikua me sëmundjen lupus, u bë e famshme si fëmijë duke luajtur në serialin televiziv “Barney and Friends”.

Edhe pse nuk dëshiron të jetë shumë e famshme, Gomez është e vendosur ta shfrytëzojë platformën për të shpërndarë pozitivitet nëpër botë.

“Gjithë jetën time, prej se isha fëmijë, kam punuar shumë. Unë nuk dua të jem shumë e famshme, por e di se për faktin që jam këtu, duhet ta shfrytëzoj famën dhe zërin tim për gjëra të mira dhe pozitive”.

Dokumentari, “Selena Gomez: My Mind and Me”, vjen me regji të Alek Keshishian dhe fokusohet në jetën e këngëtares, e cila kur është në kulmin e karrierës pëson tronditje si pasojë e betejës me lupusin dhe problemet e shëndetit mendor. Njoftimi i filmit dhe lansimi i trailerit të plotë të tij u bë të hënën (10 tetor) në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.

“Selena Gomez: My Mind and Me” do të jetë në dispozicionin e publikut përmes platformës Apple TV+, më 4 nëntor 2022.