Tiranë, 28 Qershor/ATSH/- Gara e fortë e Miss Universe mbledh vajza nga e gjithë bota, për një garë ku zgjidhet më e bukura e planetit.
Siç e do rendi, vajzat duhet të fitojnë garat e bukurisë në shtetet e tyre që më pas ta përfaqësojnë shtetin e tyre në një garë si Miss Universe.
Kosova merr pjesë në Miss Universe që nga viti 2008, dhe në debutimin e saj arriti suksesin që nuk u prit, shkruan KultPlus.
Zana Krasniqi – Viti 2008
Zana Krasniqi, vajza që dikur e provoi veten edhe si këngëtare, u fut në këtë garë në vitin 2008 dhe doli në dhjetë vajzat më të bukura në Miss Universe. 80 vajza konkurruan gjithsej ndërsa Zana doli në dhjetëshen më të mirë edhe në kategorinë e veshjeve më të mira kombëtare. Zana Krasniqi ka lindur më 15 shtator të vitit 1988 ndërsa momentalisht jeton jashtë Kosovës.
Marigona Dragusha – Viti 2009
Mjaftoi viti tjetër që Kosova të jetë shumë afër fitores në Miss Universe. Marigona Dragusha doli përcjellësja e dytë në Miss Universe 2009, në një garë me 84 pjesëmarrëse dhe ku fitoi vajza nga Venezuela. Marigona u fut në pesë vajzat më të bukura por doli në vendin e tretë, si përcjellësja e dytë e fitueses. Marigona asokohe ishte 18-të vjeçare ndërsa nga ajo kohë ajo jeton në Amerikë.
Afërdita Dreshaj – Viti 2011
Afërdita Dreshaj, një emër i njohur në Kosovë në sferën e modelimit por edhe muzikës, përfaqësoi Kosovën në Miss Universe 2011 dhe u radhit në mesin e gjashtëmbëdhjetë vajzave më të bukura. Dreshaj gjithashtu ka konkurruar në spektaklin e bukurisë Miss Shqipëria 2007 ku fitoi çmimin e dytë. Dreshaj zbardhi fytyrën e shqiptarëve në Brazil ndërsa më pas e vazhdoi karrierën por më pak aktive për publikun.
Diana Avdiu – 2012
Kosovarja Diana Avdiu morri pjesë në vitin 2012-të në Miss Universe dhe përveç se u shpall Miss Fotozhenia, ajo u radhit në mesin e gjashtëmbëdhjetë vajzave më të bukura, nga gjithsej 89 vajza që garuan. Diana ishte vetëm 19-të vjeçare ndërsa mori pjesë në këtë garë, pasi kishte fituar disa konkurse bukurie në Kosovë.
{gallery}