Showbiz

Sot “Miss Universe Kosova 2018”

“Miss Univers Kosova 2018” ka qenë ngjarja më e komentuar gjatë këtyre ditëve në Kosovë.

Kush janë pjesëmarrëset, kush e përbën jurinë dhe çfarë do ta karakterizojë këtë ngjarje, ishin disa prej pyetjeve për të cilat audienca ishte kurioze.

Për të gjitha këto detaje, publiku do të ketë rastin të marrë përgjigje në mbrëmjen e së premtes, atëherë edhe kur do të mbahet ky spektakël i madh dhe i cili do të transmetohet drejtpërdrejt në Kohavision nga ora 20:00.

Ajo çfarë tashmë është bërë e ditur është pjesëmarrja e producentit të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edward Walson. Ai do të jetë pjesë e jurisë së kësaj gare dhe bashkë me anëtarët e tjerë do të bëjë vlerësimin e vajzave pjesëmarrëse në “Miss Univers Kosova 2018”.

Këtë e ka bërë të ditur për emisionin Express në KTV, Labinot Gashi, njëri nga organizatorët e kësaj garë.

“Për herë të parë po e bëjë publike që pjesë e jurisë do të jetë edhe producenti nga SHBA-të, Edward Walson. Ai do të mbërrijë nesër në Kosovë”, ka thënë ndër të tjerash Gashi.

Pjesë e “Miss Universe Kosova 2018” janë gjithsej 17 vajza të cilat garojnë me njëra tjetrën për kurorën e më të bukurës. Vajza fituese përfaqëson Kosovën në “Miss Universe”.