Gjatë gjithë muajit mars, klientët e Meridian Express kanë treguar solidaritet dhe zemërgjerësi të jashtëzakonshme, duke dhuruar kusurin e blerjeve të tyre në rrjetet e marketeve të kompanisë, për fëmijët pa përkujdesje prindërore që përkrahen nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.
Sot, në një ceremoni simbolike të mbajtur në pikën e renovuar të Meridian Express në Lagjen Qëndresa (prapa Grand Store) në Prishtinë, u bë dorëzimi zyrtar i çekut me vlerë 6.582 euro, shumë e mbledhur kjo përmes fushatës tashmë tradicionale "Barazo Faturën".
Çekun e dorëzoi z. Agon Gashi, Drejtor Ekzekutiv i Meridian Express, ndërsa në emër të SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë, çekun e pranoi znj. Nezahat Ramadani Salihu, Drejtoreshë Nacionale e organizatës.
“Jemi të lumtur dhe falënderues për mbështetjen që na është dhënë. Kjo shumë do të shndërrohet në ushqim, edukim, siguri dhe dashuri për fëmijët që nuk kanë pasur fatin të rriten me prindërit e tyre biologjikë. Kjo iniciativë është një shembull i asaj që mund të arrijmë së bashku, edhe përmes gjesteve të vogla si dhurimi i kusurit,” tha znj. Ramadani Salihu.
Ndërsa z. Gashi shtoi: “Fushata ‘Barazo Faturën’ tashmë është bërë pjesë e identitetit tonë si kompani dhe reflektim i kulturës së solidaritetit që e ndajnë si stafi ashtu edhe klientët tanë. Prej më shumë se 12 vitesh, kjo iniciativë është dëshmi e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për të qenë pranë komunitetit dhe për të mbështetur ata që kanë më së shumti nevojë. Jemi thellësisht mirënjohës për çdo klient që zgjodhi të barazojë faturën.”
Me këtë rast, në shenjë falënderimi për partneritetin e gjatë, të sinqertë dhe të qëndrueshëm që ka zgjatur më shumë se një dekadë, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë nderoi z. Agon Gashi dhe Meridian Express me një Mirënjohje të veçantë, si simbol i vlerësimit për kontributin e tyre të vazhdueshëm ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore në Kosovë.
SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe Meridian Express falënderojnë nga zemra çdo klient që kontribuoi në këtë nismë. Fushata "Barazo Faturën" tregon se dashamirësia dhe përkujdesja për më të vegjlit ndër ne, është gjithmonë në zemrat e qytetarëve tanë – dhe së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo fëmijë.
*Artikull i sponsorizuar