Për të rritur transparencën dhe mbështetjen për investitorët, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka bërë publike për herë të parë çmimet orientuese për asetet që janë në shitje. Ky zhvillim u jep ofertuesve një orientim të qartë për vlerën e aseteve, duke e bërë procesin e ofertimit më të lehtë, më të hapur dhe më konkurrues.
Në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.71, AKP ofron një portofol të pasur me 71 asete të shpërndara në të gjithë Kosovën. Ato përfshijnë toka bujqësore, parcela ndërtimore, objekte afariste, depo si dhe asete të luajtshme.
Rajoni i Gjilanit përfshihet me 5 asete të shpërndara në komunat e Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit. Dy prej këtyre aseteve dallohen për mundësitë e shfrytëzimit komercial, ndërsa tri të tjerat janë të karakterit rezidencial - të gjitha të pozicionuara në zona me potencial zhvillimi.
Në Mitrovicë dhe rrethinë janë ofruar gjithsej 6 asete në shitje, duke përfshirë tre lokale afariste, një depo dhe tri parcela, të përshtatshme për zhvillim banimi. Asetet ndodhen në Mitrovicën e Jugut, Skenderaj dhe Drenas, duke hapur mundësi për investime lokale në banim dhe infrastrukturë.
Në rajonin e Pejës, oferta është veçanërisht e larmishme: 17 asete në total, prej të cilave 16 janë parcela toke që mund të shfrytëzohen si për banim, ashtu edhe për qëllime komerciale. Këto asete shtrihen në Pejë, Istog, Deçan dhe Klinë. Po ashtu, në Istog është përfshirë edhe një objekt afarist prej 180 metrash katrorë, i cili përfaqëson një mundësi të gatshme për investime.
Prishtina kryeson me numrin më të madh të aseteve të ofruara, gjithsej 30 prona, të shpërndara në zona me interes të lartë si Hajvali, Graçanicë, Podujevë, Shtime, Lipjan, Obiliq dhe vetë kryeqyteti. Këtu përfshihen 28 parcela të konsiderueshme, me sipërfaqe nga mbi 90 ari deri në 10 ari, të gjitha me potencial të madh për zhvillim banimi apo biznesi. Lista përfshin gjithashtu një objekt afarist dhe disa asete të luajtshme, duke përbërë një ofertë gjithëpërfshirëse për investitorët.
Në jug të Kosovës, rajoni i Prizrenit përfshihet me 13 asete në total, të shpërndara në Rahovec, Suharekë, Dragash dhe Prizren. Në këtë listë gjenden nëntë parcela toke dhe tri lokale afariste, duke e bërë rajonin një mundësi tërheqëse për zhvilluesit që kërkojnë të investojnë në zona me potencial ekonomik dhe çmime ende të volitshme.
Publikimi i çmimeve orientuese konsiderohet një hap i rëndësishëm për të rritur besimin e investitorëve.
Ofertat e mbyllura për njësitë në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.71 duhet të dorëzohen më 16 prill 2025, në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand” në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në 12:00. Çdo ofertë duhet të shoqërohet me depozitën përkatëse dhe tarifën e aplikimit, sipas kushteve të përcaktuara për secilin aset. Hapja e ofertave do të bëhet po atë ditë, duke filluar nga ora 12:30. Ndërkohë, palët e interesuara mund të informohen më gjerësisht dhe të vizitojnë fizikisht pronat në dispozicion për shitje.
Për më shumë informacion, mund të kontaktoni AKP-në në adresën: Rr. “Dritan Hoxha” Nr.55, 10000 Prishtinë, Kosovë, ose në numrat e telefonit +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext. 2059.
*Artikull i sponsorizuar