Rajon

Vulin: S’ka vend për Serbinë në BE, BRICS është një alternativë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin

Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin ka thënë se grupi i kombeve BRICS është një alternativë dhe shpresë për Serbinë, ku sipas tij bëjnë pjesë vende që “nuk i kërkojnë asgjë Serbisë dhe mund t’i ofrojnë më shumë sesa që kërkon vetë ajo”. 

BRICS, është grupi i vendeve ku ndër të tjera bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Etiopia, Irani, Egjipti e Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vulin ka thënë se nuk e ka për qëllim që të krahasojë BRICS-në më Bashkimin Evropian, por të tregojë se ekziston një alternativë për Serbinë, për të cilën, siç tha, ai beson thellësisht se është më afër fundit se fillimit, raporton N1. 

"Për t'u bërë anëtar i BRICS, nuk është e nevojshme të miratohen ligje që janë shkruar jashtë kufijve të vendit tonë, ju nuk keni pse t'ia dorëzoni pushtetin sektorit të OJQ-ve, nuk jeni të detyruar të shfaqni flamurin e Ukrainës në ambasadën tuaj apo të legalizoni martesat brenda gjinisë së njëjtë", citohet të këtë thënë Vulin. 

"Për t'u bërë anëtar i BRICS, nuk është e nevojshme të vendosësh sanksione ndaj askujt apo t'ua lësh të tjerëve menaxhimin e politikës së jashtme të vendit tënd", citohet Vulin, i cili është i ngarkuar me punë për përmirësimin e bashkëpunimit të Serbisë me Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën, Afrikën e Jugut, që janë vendet anëtare të BRICS.